Lajme

Gjermania ka mungesë të rreth 60 mijë shoferëve për kamion

Shteti gjerman aktualisht ka mungesë për 45,000 deri 60,000 shoferë të kamionëve, raporton portali Seebiz, duke iu referuar medias gjermane.

Shoqata gjermane e transportuesve të mallrave dhe logjistikës tashmë ka paralajmëruar se raftet e supermarketeve së shpejti do të jenë të zbrazëta dhe kërkon marrjen e masave për ta bërë interesin e shoferit të kamionëve më tërheqës për të rinjtë.

Pagat e ulëta dhe kushtet e këqija të punës e kanë bërë këtë biznes të papëlqyeshme dhe pikërisht mungesa e shoferëve të kamionëve do të jetë tema kryesore e Panairit katër-ditor të Transportit dhe Logjistikës që fillon të martën në Munih, transmeton KosovaPress.

Zëdhënësi i panairit, Stefan Rumel paralajmëroi se çdo vit në Gjermani, 30,000 shoferë kamionësh dalin në pension, dhe se në të njëjtën kohë shoferët e ri janë vetëm gjysma e atij numri.

Më shumë se një e treta e shoferëve në Gjermani janë mbi 55-vjeç dhe vetëm 2.5 për qind janë më të ri se 25-vjeç dhe 40 për qind e shoferëve të kamionëve mund të dalin në pension në 10-15 vjetët e ardhshme.

Rumel thotë se në vitin 2030, madje 150 mijë shoferë kamionësh do të mungojnë në Gjermani.

Mediat raportojnë se në të njëjtën kohë vëllimi i transportit është rritur dhe se disavantazhi nuk mund të plotësohet nga shoferët nga pjesa lindore e Evropës.