LajmeMaqedoni

Kufiri Llojan-Miratoc, përplasje mes partnerëve LSDM-së dhe BDI-së

Kufiri Llojan-Miratoc, përplasje mes partnerëve LSDM-së dhe BDI-së
Në Qeveri kanë shpërthyer tensione pasi që dje kryeministri Zoran Zaev theksoi se nuk ka leverdi për hapjen e pikës kufitare Llojan – Miratoc. Sipas Alsat-M, kjo përgjigje nuk është pritur mirë nga BDI, e cila ditë më parë premtoi se do të bëhet shpejt hapja e kësaj pike kufitare, një kërkesë gati dydekadash e banorëve të komunave kufitare Likovë dhe në anën tjetër Preshevës.
“Por duhet të gjejmë mënyrë se si do ta mbajmë atë kufi, sa shërbime duhet të punojnë atje, për oraret e punës. Kështu që mbetemi të fokusuar në këtë çështje me qëllim që të dalim në shërbim të qytetarëve, por analizat janë për ato arsye se s’ka leverdi”-pohoi Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Edhe kryeministrja serbe Bërnabiq paralajmëroi se nuk do të hapet kjo pikë kufitare dhe se nuk është në interes të tyre.
Por zëvendëskryeministri Bujar Osmani nuk pajtohet me këto vlerësime ndërda njoftoi për ndërrimin e grupit të punës me palën serbe me të cilin udhëheq Luftim Spahiu, si zëvendësim i ish-sekretarit shtetëror të Ministrisë së Jashtme Viktor Dimovski. Osmani thotë se në rastin konkret më shumë bëhet fjalë për mungesë të vullnetit politik se sa mungesë të leverdisë ekonomike.
“Ne po punojmë tani vetëm me çështjen e vullnetit politik në Serbi, të cilët vlerësojnë se mbajtja e njerëzve në atë pikë kufitare nuk është e leverdishme në momente të ndryshme dhe nga njerëz të ndryshëm në qeverinë serbe. Mirëpo, atje ka një disonancë sa i takon qëndrimeve”, theksoi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
Njoftimin se qeveria ka nisur procedurën për hapjen vendkalimit kufitar Llojan Miratoc, Bujar Osmani e kishte publikuar më 4 korrik, duke bërë ditur se madje ka siguruar edhe mjetet siguruara financiare nga ambasada norvegjeze. Paralelisht me këtë njoftim ishte publikuar edhe propozim marrëveshja që ishte dërguar palës serbe mbi formën e funksionimit të kësaj pike kufitare me orar të kufizuar gjatë verës dhe dimrit.
Premtime për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan Miratoc nga zyrtarët e BDI-së janë dhënë që nga viti 2011, madje ky ka qenë edhe një nga premtimet kryesore të kësaj partie në tubime elektorale me banorët e rajonit të Likovës të cilët edhe kanë më së shumti nevojë për hapjes e kësaj pike kufitare. Ankesat e banorëve të zonës janë që shpenzojnë shumë për vizita familjare, duke bërë xhiron 50 km nga ana maqedonase dhe 17 km nga ana serbe për të kaluar në kufirin Tabanocë-Preshevë. Ndërkaq, rruga që lidh këto dy fshatra është e asfaltuar që moti, por bujqit nuk mund ta shfrytëzojnë për t’i punuar tokat e tyre që u kanë mbetur matanë kufirit shtetëror të vendosur 27 vjet më parë.(Alsat-M)