Bota

Gjermania arreston një shtetas të Kosovës, i akuzuar për mbështetjen e ISIS-it

Autoritetet gjermane arrestuan një shtetas të Kosovës, i cili akuzohet se ka mbështetur grupin militant Shteti Islamik (IS), duke transferuar mijëra euro për një luftëtar dhe një rekrut të mundshëm.

Zyra e Prokurorit Federal tha se 31-vjeçari, i identifikuar vetëm si Hasan Rejan B, u arrestua të mërkurën në zonën e Pinebergut, pranë Hamburgut, raporton AP.

Ai dyshohet për 15 akuza për mbështetjen e grupit militant Shteti Islamik dhe 11 akuza për shkeljen e ligjeve gjermane të eksportit.

Prokurorët thanë se i dyshuari ka bërë 11 transferime në vitet 2016 dhe 2017, për një luftëtar të ISIS-it në Siri.

Po ashtu sipas Prokurorisë, në vitin 2015, ai i ka transferuar para një personi nga Maqedonia e Veriut, i cili dëshironte të bashkohej me luftëtarët e ISIS-it në Siri. Në total, ai ka transferuar rreth 15,000 euro.

Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, nga viti 2012 deri në vitin 2016, mbi 400 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në zonat e luftës në Siri dhe Irak.

Më shumë se 130 persona janë dënuar në Kosovë për pjesëmarrje në luftërat në Siri dhe Irak.

Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja mund të dënohet deri në 15 vjet burgim.