Lajme

“Gjaku nuk bëhet ujë”, shqiptarët e Ukrainës nuk harrojnë rrënjët e tyre

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 200 vite nga koha kur shqiptarët pas një kalvari të gjatë peripecish u vendosën në Ukrainë, ato nuk u ju nënshtruan asimilimit dhe kultivuan gjuhën dhe traditat shqiptare ndër breza.

Sot pas shumë dekadash edhe brezat e rinj janë rritur me ndjenjën e atdhedashurisë për simbolet kombëtare dhe traditat e vendit të origjinës.

Në vitin 2019 në Karakurt u vendos busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gjithashtu para periudhës së pandemisë, një sërë nismash me institucionet shqiptare kontribuan në mësimin e gjuhës shqipe, si dhe njihen e brezave të rinj me vendin e të parëve. Grupe nxënësish aktivizoheshin bashkë me mësuesit e tyre në ture turistike gjatë periudhës së pushimeve për të njohur më shumë Shqipërinë. Gjatë këtyre vizitave, fëmijët shqiptarë të lindur në Ukrainë njiheshin me qytetet kryesore të Shqipërisë.

Aktivitetet kulturore me tradita arbërore janë të shpeshta ndër shqiptarët e Ukrainës, të cilët janë një vlerë e shtuar e shqiptarëve të larguar shekuj më parë për shkak të pushtimit Osman, por që nuk u asimiluan kurrë dhe arritën të mbrojnë me dinjitet origjinën e tyre.

Ne arkivin e Karakurtit ruhen një numër i madh fotografish te vjetra dhe kostume prej 195 vjetësh që kur të parët janë vendosur në këtë vend.

Shqiptaret e Ukrainës fillimisht u vendosën në veri të Odesës 220 km në fshatin Karakurt së bashku me bullgarët dhe gagauzët. Në fillim të vitit 1860 një pjesë e fshatit Karakurti sot Zhovtnjovoje u shpërngul në rajonin e brigjeve të detit Azov rreth 10 km larg brigjeve, ku u themeluan 3 fshatra : Taz sot Devnenskoje, Tyshki sot Gjeorgjevka, Xhandran sot Gamovra sot ku jetojnë edhe sot që këtë toke ja dhuroi Katerina II e Rusisë.

Banorët janë toskë, të shpërngulur nga rajoni i Pogradecit dhe Korçës, si pasojë e përndjekjes osmane. Pas një rrugëtimi nëpër Greqi, Bullgari e Rumani përfunduan në Ukrainë. Gjuha që flitet sot në këto katër fshatra, Karakurt (Zhovtnjovoje), Taz (Devneskoje), Tyshki (Gjeorgjevka) dhe Xhandran (Gamovra), është një përzierje e shqipes toske me rusishten. Por megjithatë zakonet, veshjet dhe tiparet dalluese mbetën të njëjta. Banorët e këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë.