Flet Vuçiç: Pse nuk dola në foto me Ilir Metën
Në mediat serbe ka bërë jehonë një incident në nisje të samitit të Brdo-Brijunit me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Tiranë.
Kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale pamjet se si Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk qëndroi për të bërë një foto me Presidentin shqiptar Ilir Meta, presidenten e Kroacisë, Kitarovic dhe atë presidentin slloven, Pahor.
Ky moment ka marrë komente të shumta. Fillimisht u tha se ishte Vuçiç ai që nuk pranoi të dalë në foto. Më pas kishte komente se bëhej fjalë për një keqkuptim. Mbi të gjitha këto vetë Vuçiç ka thënë për mediat serbe se ishte një keqkuptim.
“Kam qenë pjesë e fotos zyrtare. Kur sheh dikë, shkon dhe i shtrëngon dorën. Këtë kam bërë me Kolindën, Pahorin dhe Metën, por ajo nuk ishte diçka zyrtare” – tha Vuçiç.
Ndërsa për atë shtrëngim duarsh me Hashim Thaçin në prezencë të Federica Mogerinit, Vuçiç tha se e kishte parë dhe i kishte dhënë dorën.
“Nëse tani po merreni se ishte një shtrëngim duarsh i ftohtë, apo nuk e di. Merreni si të doni. Ishte një takim në një bufe ku kishte edhe çaj të ngrohtë” – e ka mbyllur Vuçiç.