Lajme

Mustafa për Osmanin: Ulja në prehrin e kundërshtarit tonë është kapitullim për të

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në hapjen zyrtare të fushatës ka thënë se partia e tij ka qenë dhe mbetet shtylla e shtetit të Kosovës.

Ai po ashtu tha se LDK është ura që lidh Kosovën me partnerët e saj derisa kritikoi ish-partnerët se i kanë dëmtuar lidhjet me ta, njofton Klan Kosova.

“Qytetarët janë dëshmitarët më të mirë se çka janë në gjendje të bëjnë oponentët tanë politikë. Ata për pushtet e djegin shtetin, e rrënojnë rendin juridik dhe e linçojnë çdokënd që nuk mendon si ata. Do të bëjmë gabime të pariparueshme për shtetin tonë nëse e lejojmë që në Kosovën e vitit 2021 të mbretërojë mendësia e diktatit”.

“Me votën e lirë dhe duke i besuar LDK-së më 14 shkurt ju qytetarë, këtu dhe në diasporë, do të përcaktoheni për rrugën e integrimit dhe do të refuzoni të instaloni pushtetin autoritar në zemër të Europës”.

Mustafa ka thënë se në dy herët kur kanë marrë përgjegjësi qeverisëse janë treguar të zotët dhe të pakorruptuar derisa shtoi se kanë qenë shembull i qeverisjes së mirë edhe në rajon.

“Ne s’e duam krejt pushtetin siç po kërkojnë kundërshtarët tonë, por duam demokraci dhe forcimin e Kosovës dhe të një shteti që nuk pjesëtohet, nuk ndahet dhe nuk bashkohet. Integrohemi në BE, jemi miq me të tjerët, por miqësia me SHBA-në është e veçantë”.

Mustafa ka përmendur edhe koalicion me Vetëvendosjen duke thënë se ajo dezertoi në qeverisje. Këtu, i pari i LDK-së dezertore e quajti edhe ish-kandidaten për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, Vjosa Osmanin.

“Kësaj valle iu bashkua edhe Vjosa Osmani. Ajo u bë kryetare e kuvendit dhe u.d presidente me votat e LDK-së. I mori të gjitha privilegjet dhe e tradhtoi besimin tonë dhe tuaj. Ulja në prehrin e një partie të kundërshtarit tonë nuk është ndryshim, por kapitullim”.

Mustafa ka thënë se i falënderon anëtarët e LDK-së që kanë penduar “tentimin e qëllimshëm për shkatërrimin e LDK-së”.

Ai në fund është shprehur i bindur për fitore duke thënë se kandidati i tyre për kryeministër do të vazhdojë rrugën e një qeverisje të mirë, sipas tij, që e trasoi vetë ai.

“Ne do të fitojmë bindshëm dhe do ta vazhdojmë punën e mirë që ka bërë Hoti që ka qeverisur me një kohë të vështirë, ka menaxhuar shtetin, kthyer partneritetin me Shtëpinë e Bardhë, ka sjellë njohjen e Izraelit dhe ka stabilizuar qeverisjen në vend”.