FutbollSporti

Fitore e madhe e Kosovës, ëndrra për kualifikim në Botërorin 2026 vazhdon

Kosova ka arritur një fitore historike në udhëtim, duke mposhtur Suedinë me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026

Golin e vetëm të takimit e realizoi Fisnik Asllani në pjesën e parë, pas një aksioni të shpejtë që përfundoi me goditje precize në rrjetën suedeze.

Dardanët treguan organizim të shkëlqyer në mbrojtje gjatë gjithë ndeshjes, duke përballuar presionin e vazhdueshëm të suedezëve në minutat e fundit dhe duke ruajtur epërsinë deri në fishkëllimën përfundimtare.

Pas kësaj fitoreje të madhe, Kosova ngjitet në vendin e dytë të Grupit B me 7 pikë pas katër ndeshjeve, tre më pak se liderja Zvicra që kryeson me 10 pikë. Slovenia renditet e treta me 3 pikë, ndërsa Suedia mbetet në fund të tabelës me vetëm 1 pikë të fituar.

Fitorja e sotme e mban gjallë plotësisht ëndrrën e Kosovës për një kualifikim historik në Kupën e Botës, ndërsa ndeshjet e radhës kualifikuese do të zhvillohen muajin e ardhshëm, ku dardanët do të kërkojnë të vazhdojnë momentin pozitiv.