Fillon të shfaqet filmi ku Blerim Destani luan me Freemanin dhe Travoltën
Ka nisur të shfaqet në kinematë amerikane filmi “The Poison Rose”, një dramë me temë krimi që ka bashkuar bashkë në rolet kryesore aktorët John Travolta dhe Morgan Freeman.
Spektatorët shqiptaro-amerikanë kanë mundësi të shohin në të edhe aktorin tashmë të afirmuar shqiptar, Blerim Destani, që në këtë film luan rolin e Lorenzo Rodriquezit.
Filmi që ka në qendër të tij personazhin e një detektivi veteran, në Los Angeles, të zhuritur nga jeta që kthehet për të zgjidhur një mister në qytezën e tij të lindjes në Texas.
Filmi me regjisor George Gallo, shquhet edhe për rikthimin në ekranet e kinemave të aktorit Brendan Fraser, rolet e të cilit kanë qenë shumë më të rralla dhe në hije që prej suksesit të madh me filmin “Mummy” (Mumja).
Destani, i cili ka lindur në Gjermani dhe është rritur në Maqedoni, vjen nga një familje e njohur shqiptare. Pasi ka zbuluar që në moshë të hershme talentin e tij për aktrim, ai ka luajtur tashmë në një numër filmash. Ai ka krijuar përvojë edhe në aspekte të tjera të kinematografisë, përfshi edhe si regjisor e producent.