FutbollSporti

Valencia befason Barcelonën, i ka rrëmbyer Kupën e Mbretit

Finalja e Kupës së Mbretit e zhvilluar mes Barcelonës dhe Valencias solli një befasi pasi djemtë e Valverdes nuk ia dolën të rrëmbenin këtë kupë.

Ndonëse posedimi dhe loja i takoi tërësisht Barcelonës në të dyja pjesët, ishin lojtarët e Valencias ata që në pjesën e parë realizuan dy herë për të çuar skuadrën e tyre në pushim me avantazh prej 2-0 përmes Gameiros (’21) dhe Rodrigos (’33).

Pjesa e dytë nisi po ashtu me iniciativë të Barcelonës dhe në minutën e 73, Leo Messi arriti të shënonte për të ngushtuar epërsinë në 2-1.

Por, edhe pas shumë rasteve (gjithsejtë 23 goditje në drejtim të portës), Barcelona nuk arriti të përmbyste rezultatin dhe kështu Kupën e Mbretit ia dorëzuan Valencias.

Messi para ndeshjes së sotme kishte thënë se paraqitja në ndeshjen e dytë me Liverpoolin në Anfield, ku edhe u eliminuan nga Liga e Kampionëve, ishte një prej ndeshjeve më të këqija, por tha se fitorja e Kupës së Mbretit do të ishte një përfundim i mirë i sezonit.

Barcelona Kupën e Mbretit e ka fituar 30 herë, përfshirë edhe atë të sezonit të kaluar, për dallim nga Valencia që me këtë të sotmen ka fituar 9 herë, për herë të fundit më 2008.