Të fundit

Fillojnë punimet në infrastrukturën rrugore në Miratoc

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, së bashku me zëvendëskryetarin e Komunës Ragmi Mustafa, kryetarin e Kuvendit Komunal Agim Sabedini dhe zëvendëskryetarin e Kuvendit Armend Aliu, vizituan sot punimet në një nga segmentet më të vështira të qarkullimit në fshatin Miratoc.

Pjesa e lagjes, e cila prej vitesh kishte mbetur e pakalueshme dhe pa mundësi qarkullimi për banorët, është shndërruar tashmë në një rrugë funksionale dhe plotësisht të kalueshme – jo vetëm për këmbësorë, por edhe për automjete.

“Nga sot, Miratoca ka një rrugë më tepër. Një hap i vogël në hartë, por i madh për jetën e përditshme të banorëve të kësaj lagjeje,” u shpreh kryetarja Sinani gjatë vizitës.

Ky investim shënon një tjetër hap konkret në përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe në rritjen e cilësisë së jetës për komunitetin e Miratocës.