Facebook nën hetim për shpërndaje të të dhënave personale
Një tjetër skandal ka goditur Facebookun. Ky rrjet social është duke u hetuar për shpërndarjen e të dhënave të përdoruesve të saj, pa dijeninë e këtyre të fundit, me dhjetëra kompani të tjera të teknologjisë.
Prestigjiozja “New York Times”, duke cituar burimet e saj anonime, raportoi se prokurorët në Nju Jork po hetojnë disa marrëveshje që Facebook ka me disa gjigantë të teknologjisë, pas kontrolleve të fundit që i janë bërë kësaj kompanie.
Të dhënat që i janë shpërndarë janë emrat e miqve të përdoruesve, gjinitë dhe datëlindjet e tyre.
Facebook deklaroi në qershor se iu ofroi qasje të veçantë tek të dhënat e përdoruesve disa dhjetëra kompanive të teknologjisë, pasi më parë kishte thënë publikisht se iu kishte kufizuar një qasje të tillë, transmeton kp.
“New York Times” njoftoi se Amazon, Apple, Microsoft dhe Sony kanë ndërprerë marrëveshjet për shkëmbimin e të dhënave me platformën dominante të medias sociale në botë.
Megjithatë, Facebook vazhdoi të shkëmbejë informacion me 61 prodhues të pajisjeve dhe programeve kompjuterike pasi tha se ndërpreu këtë praktikë të shpërndarjes së informacioneve në maj të vitit 2015.