Teknologji

Facebook fshin qindra llogari që u krijuan për të shkaktuar “përçarje”

Facebook ka fshirë qindra llogari – më shumë se gjysma e tyre me qendër në Rusi, Iran dhe Gjeorgji – pasi ka zbuluar se ato u përkisnin rrjeteve që bëjnë fushata të ndryshme me ndikim, transmeton Koha Jonë njoftimin

Facebook njoftoi se llogaritë janë fshirë në prill, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të pastruar platformën e tij nga informacionet mashtruese dhe llogaritë e rreme, që krijohen për të shkaktuar “përçarje në shoqëri”.

Llogaritë e fshira kanë qenë aktive edhe në Instagram – aplikacionin që e zotëron Facebooku – dhe kanë qenë të lidhura me tetë rrjete, tha gjiganti i medias sociale, me seli në Kaliforni.

Sipas tij, rrjetet në Rusi dhe Iran e kanë përqendruar përmbajtjen e tyre ndërkombëtarisht, ndërsa dy rrjete në Gjeorgji, dy në SHBA, një në Mauritani dhe një në Mianmar kanë operuar me audiencat e brendshme.

Të gjitha rrjetet janë krijuar para pandemisë së koronavirusit, por Facebook tha se disa prej tyre i kanë përdorur pastaj postimet e lidhura me koronavirus, për të ndërtuar audiencat e tyre.

“E dimë se njerëzit që përpiqen t’i mashtrojnë të tjerët, i përdorin krizat për t’i çuar përpara qëllimet e tyre. Dhe, pandemia e koronavirusit nuk është ndryshe”, tha përmes një deklarate Facebook.