Opinione

Enver Robelli: Duhet parë me kujdes dashuria e befasishme e Vuçiç për shqiptarët

Enver Robelli, redaktor në gazetën “Tages Anzeiger” thotë se fitorja me shumicë dërrmuese e Aleksandër Vuçiç është kurorëzim i betejës disavjeçare. Z. Robelli theksoi se, Serbia ka ambicie që të luajë një rol dominant në rajon pasi që tani është kthyer në një qendër të teknologjisë informative, ku 4 mijë firma punojnë për kompani perëndimore.
Analisti thekson se, Presidenti serb tashmë ndodhet në pozita komode të ngjashme me atë të Vladimir Putin. Pavarësisht se, sipas tij ka pasur pjesëmarrje nën 50%, sidomos në qendrat urbane dhe në Beograd ku ka pasur bojkot të theksuar, sërish ka marrë një mbështetje të madhe.
“E gjithë fushata ka qenë show i një personi dhe slogani ka qenë “Aleksandër Vuçiç për fëmijët tanë”, duke e zhdukur emrin e partisë. Bojkoti i opozitës nuk mund të shihet si një sukses i madh pasi nëse gjysma e popullsisë merr pjesë do të thotë se gëzon mbështetje të madhe”, tha Robelli.
Redaktori i gazetës “Tages Anzeiger” në Zvicër analizon se kjo ka ardhur për disa faktorë, ku së pari është përçarja e opozitës dhe mungesa e një vizioni të saj për çështjen e Kosovës si dhe fakti se Vuçiç ka arritur të zhvillojë ekonominë, sidomos duke thithur investime të huaja. Nga ana tjetër thotë Robelli, BE ka disa vite që është pajtuar me njerëzit e fuqishëm në Ballkan sa kohë ata garantojnë njëlloj stabiliteti, gjë e cila ka ardhur sidomos me fitoren e forcave populiste në Evropën Lindore.
“Nëse heqim disa aspakëte si populizmin, ndikimi në lirinë e medias, Vuçiç në fushën e ekonomisë nuk është se nuk ka pasur sukses. Investimet nga jashtë po rriten në Serbi. Ai ka krijuar imazhin e babait të kombit, që kujdeset për të gjithë njerëzit dhe krijohet përshtypja sikur ai nuk fle kurrë dhe punon 25 orë në ditë dhe jo 24.
Opozita serbe është e përçarë, e polarizuar dhe nuk ka ndonjë ide as sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovë dhe përballjes me të kaluarën dhe se si ta sfidojë Vuçiçin. Shumica e serbët kanë parë tek ai si shpresën e vetme. Në Ballkan, sidomos në këto kohë pandemie, kërkojnë një udhëheqës me dorë të fortë që t’i drejtojë”, u shpreh Robelli.
Kjo fitore absolute, do t’i mundësojë Presidenti serb dhe ndryshimin e Kushtetutës në rast se do të njohë pavarësinë e saj. Por, sipas Robellit kjo mbetet për t’u parë nëse do ta bëjë një gjë të tillë.
“Fitorja i mundëson që të ndryshojë Kushtetutën, ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë. A do ta njohë Kosovën kjo mbetet për t’u parë, pasi ka deklaruar se nuk i mjafton si shpërblim hyrja në BE. Serbia kërkon një pjesë të territorit të Kosovës dhe një rol më të madh në Bosnje për një perspektivë dhe për ndarjen e saj në të ardhmen”, thotë gazetari.
Ndërsa për rezultatin e forcave shqiptare në Serbi, Robelli shpreh rezerva. Sipas tij, dashamirësia e befasishme e Vuçiç duhet parë me rezerva. Ai arrin në këtë përfundim duke pasur parasysh se, ministri i Jashtëm i Shqipërisë është lejuar që të marrë pjesë në fushatë.
“Në komunën e Bujanocit ende nuk është e qartë a kanë fituar partitë shqiptare apo partia e Vuçiç edhe pse me shumicë janë shqiptarët. Në këtë komunë shqiptarët kishin 5 lista dhe u futën pak a shumë si grup heterogjen, ndërsa pala serbe kishte vetëm dy lista. Vuçiç mund ta përdorë këtë rezultat në Luginën e Preshevës për të thënë se nuk ka pse të bëjë shkëmbim të territoreve me Kosovën se shqiptarët në Serbi janë shumë mirë të integruar ndërkohë që shtypja ndaj tyre vazhdon
Ka ende shumë shqiptarë që ankohen se, autoritetet serbe po i heqin nga regjistrat civilë dhe po humbin të drejtën e banimit dhe shtetësisë në atë vend. Kjo duket se ishte dhe arsyeja pse ministri i Jashtëm i Shqipërisë u lejua që të bëhej pjesë e fushatës në Luginën e Preshevës, gjë e cila në të kaluarën kurrë nuk na ndodhur. Nëse nuk do të kishte një bekim nga Vuçiç për këtë, mediat e kontrolluara prej tij do të dilnin me titujt se Shqipëria i ka shpallur luftë Serbisë duke hyrë në Preshevë”, përfundoi Robelli.