Bota

Dy të vdekur në një aksident në Kanada ku u përfshinë mbi 200 vetura

Dy persona kanë vdekur e mbi 100 tjerë janë lënduar, të cilët menjëherë janë dërguar në tri spitale vendore në Montreal, Kanada, pasi 200 vetura u përfshinë në një aksident në trafik.

Aksidenti ka ndodhur në një autostradë -A15- dhe siç raporton CNN, të paktën 9 persona janë lënduar rëndë e të tjerët, kanë lëndime më të vogla, transmeton Koha.net.

Dy të vdekurit u gjetën të bllokuar në veturat e tyre, ka thënë agjencia e sigurisë publike.

Një pjesë e të plagosurve ndodhen në gjende kritike. Pamjet nga vendi i ngjarjes shfaqin automjete të shtypura, përfshirë këtu edhe një minibus dhe kamion që transportonte kimikate.

Shumica e automjeteve janë përplasur njëra pas tjetrës, derisa disa prej tyre kanë përfunduar jashtë rrugës.

Ministri i transportit të Quebec, François Bonnardel, tha në një konferencë shtypi se aksidenti ndoshta ishte shkaktuar nga kushtet atmosferike në Autostradën 15.

“Njerëzit po udhëtonin, kishte erëra të forta dhe, papritmas, nuk mund të shikoje asgjë. Rruga ka të ngjarë të mbetet e mbyllur deri të enjten,” tha ai.