Lajme

Dy rusët që “mashtruan” Haradinajn akuzohen se janë të shërbimit sekret

Një dyshe prankerash rusë imitojnë ish Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe telefonojnë e fusin në kurth politikanë dhe personalitete të njohura botërore.

Këtë radhë, dyshja e humoristëve që akuzohen se bashkëpunojnë me shërbimet sekrete, pati në shënjestër Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe i hapi atij jo pak telashe.

Të njohur si Leksus dhe Vovan, Vladimir Kusnezov dhe Aleksej Stoljarov, e kanë kthyer Petro Poroshenkon në shënjestër të shakave të tyre dhe në kurth ka rënë, siç raportohet edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ata ia kanë dalë madje të telefonojnë edhe Senatorin tashmë të ndjerë, John McCain, të ngarkuarin e posaçëm për Ukrainën, Kurt Volker, ose edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Nuk ka mundur të shpëtojë as Presidenti Francez, Emmanuel Macron apo ai turk, Recep Tayyip Erdogan.

Në shtator 2015, ata bindën Elton Xhonin se Presidenti Rus, Vladimir Putin ishte në linjë dhe donte të diskutonte për të drejtat e gejve.

I kënaqur, këngëtari britanik e postoi online telefonatën ndërsa Kremlini u detyrua të reagonte. Putini i vërtetë i telefonoi Elton John-it dhe i shprehu keqardhjen për këtë „telefonatë të djemve“, sikurse i quajti ai prankerat.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, vetë prankerat do të thoshin:

“Sipas komenteve në internet ne kemi qenë kolonelë të FSB ose majorë, kohë më parë.”

Në fakt, mënyra se si përzgjidhen viktimat, fakti që në përgjithësi nuk ngacmojnë politikanët rusë apo se kanë akses tek numrat e telefonit të politikanëve të nivelit të lartë, kanë bërë që dyshimet se të dy ata punojnë për shërbimet sekrete ruse, të jenë të zëshme