Drejtoresha e një klinike në Shkup konfirmohet me koronavirus, rasti i katërt në Maqedoni
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe ka bërë të ditur se është konfirmuar edhe rasti i katërt me koronavirus në këtë shtet.
Ai ka treguar se fjala është për drejtoreshën e Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës, e cila para një jave ishte kthyer nga Italia, raporton Alsat-M.
“Gjendja e saj është stabile dhe ajo është hospitalizuar në Klinikën Infektive në Shkup”, ka thënë ministri.
Filpiçe po ashtu ka thënë se janë duke u identifikuar dhe intervistuar të gjithë mjekët dhe pacientët që kanë pasur kontakt me të në spital.
“Ka mundësi që të mbyllet i gjithë reparti dhe pacientët të dërgohen në shtëpi”, ka thënë ai.
Sipas ministrit, e vetmja gjë pozitive është se drejtoresha nuk ka pasur ditën e vizitave dhe kështu nuk ka qenë në kontakt me shumë pacientë.
Filipçe ka bërë apel edhe një herë të respektohen masat e marrë dhe njerëzit të ndërgjegjësohen.
“Jemi të revoltuar për mosrespektimin e masave për mbrojtjen nga virusi në fjalë”, ka thënë ministri Filipçe.
Ai tha se nuk mund të mbyllim dot kufjët, asnjë vend në botë nuk e ka bërë, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm sidomos nga njerëzit që vijnë nga vendet e prekura, sidomos nga Italia, të vetizolohen në shtëpi për të paktën disa ditë.