Dokumentet zyrtare serbe tregojnë si e vrau Serbia Ukshin Hotin
Ekipi i emisionit “Udhëve” në RTK hulumtoi një kohë të gjatë për rrethanat e zhdukjes së veprimtarit shqiptar Ukshin Hoti dhe arriti të zbulojë shumë fakte.
Në bazë të dokumentave të ushtrisë dhe policisë serbe që i ka siguruar redaksia e “Udhëve”, ditën që ishte nxjerrë nga Burgu I Dubravës, Ukshin Hoti nuk ishte liruar. Fillimisht u rrëmbye. Më pas Ukshin Hoti ishte vrarë e masakruar në mënyrën më makabre nga policia serbe e asistuar nga Ushtria Jugosllave. Kështu thuhet në dokumentet e siguruara nga redaksia e “Udhëve”, të cilat kanë vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, departamenti i hetuesise për krime lufte.
Ditën kur ishte liruar, te dera e burgut e kishin pritur pjesëtarë të sigurimit shtetërorë serb. Jozyrtarisht thuhet se ishte Sreten Cemoviq, pjesëtar i sigurimit shteteror serb me kodin 9787960, ai qe e priti te dera e burgut. Cemoviq shpeshherë kamuflohej edhe si gazetar. Në një dokument zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër protokolli 03/4-3-1 SB nr.270/13, të datës 4 tetor të 2013 poashtu të siguruar nga redaksia “Udhëve”, një person të cilit ky dokument i referohet si personi X-1, që ishte dëshmitar i rastit, kishte zbardhur gjithë ngjarjen që kishte ndodhur me Ukshin Hotin në majin e vitit 1999.
Personi X-1, kishte qartësuar mënyrën e kryerjes dhe përpjekjen për fshehjen e krimit nga policia dhe ushtria serbe në rastin e Ukshin Hotit por edhe disa vrasjeve të tjera në rajonin e Pejës. Ky person përmes fotografive kishte identifikuar shtëpinë, dyert e shtëpisë, oborrin e shtëpisë dhe si ishte vrarë Ukshin Hoti. Personi X-1 pa menduar dy herë ka pohuar që ka njohur në fotografinë me numër 1 dhe 2 derën e hyrjes prej druri në oborrin e shtepisë së një shqiptari. Deshmitari e përshkruan vendin e krimit dhe jep detaje per deren dhe oborrin siç i kishte pare në maj të vitit 1999. Pas luftës ai mur është ndertuar me blloka të betonit, pasi që shtëpia ishte djegur gjatë luftës.
Qytetari X-1 më pastaj ka sqaruar që në fotografinë numër 3 ka njohur pamjen e oborrit e cila ishte e drejtuar ka gardhi i oborrit dhe rruges lokale e cila kalon skaj shtëpisë së përmendur. Personi X-1, e ka vizatuar skicën e vendit të ngjarjes dhe në të cilën në mënyrë të detajuar ka sqaruar me hollësi planifikimin e brendshëm të atëhershëm të oborrit të shtëpisë: porta hyrëse përmes së cilës hynë në oborr ku në anën e djathtë të portës hyrëse ai pa 2 kufoma në ndërtesë, pastaj para një shtëpie më të vogël në oborr 1 kufomë. Kufomat në skicë janë shënuar me x. Ai sqaron se kufoma e Ukshin Hotit përfundimisht ishte mbështjellë me qese najlloni në oborrin e shtëpisë së përmendur dhe ishte marrë nga ana e djathtë e portës hyrëse në fund të oborrit nga një shupë ose shtallë, ku më pas gjetën disa dru ose pisha të thara. Kufoma e Uksin Hotit shënohet me + në skicë, sipas këtij dokumenti zyrtar të policisë serbe.
Ky dëshmitar i ngjarjes thotë më tej se e vendosën kufomën pranë atyre pemëve, dhe me një sasi të vogël eksplozivi ia shpërthyen kokën dhe të dy duart e kufomës së Ukshin Hotit dhe më pas ata e mbuluan kufomën me pemët e përmendura dhe e dogjën për të fshehur krimin. Gjatë gjithë kohës kur pjestarët e MUP-it të cilët kryenin masakrat dhe veprat makabre mbi civilët shqiptarë që ishin në oborrin e asaj shtëpie, në rrugën lokale të shënuar në skicë, ishin të siguruar nga ushtarë të ushtrisë jugosllave të udhëhequr nga Komandanti Milićko Janković. Të gjitha këto të dhëna thuhen në dokumentin e siguruar nga redaksia jonë. /gazetaexpress