Dogana e Kosovës mbledh 1.2 miliardë euro, importi nga Serbia dhe Bosnja bie në 6 milionë euro
Importi nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina gjatë këtij viti ka rënë në 6 milionë euro nga 530 milionë. Ky dallim i madh ka ardhur nga masat mbrojtëse të aplikuara ndaj këtyre dy shteteve, ndërsa, eksporti i vendit tonë është rritur dukshëm me Shqipërinë, kurse Gjermania kryeson në listën e eksporteve në drejtim të Kosovës e pasuar nga Turqia dhe Kina.
Për drejtorin e Doganës së Kosovës, Bahri Berisha të hyrat vazhdojnë me një trend pozitiv në Doganën e Kosovës, pavarësisht vendosjes së taksës 100 për qind, teksa bëri me dije se në vitin 2019, janë rreth 1.2 miliardë euro të hyra ose rreth 4 për qind më shumë se në vitin 2018.
Berisha thotë në një intervistë për KosovaPress, se ndikim në të hyra kanë pasur edhe një mori politikash fiskale, marrëveshjet e tregtisë së lirë me Turqinë, por edhe ndikimi i MSA-së që për çdo vit është duke pasur ndikim në taksën doganore.
Sipas drejtorit të Doganës, nëse merren parasysh të gjitha këto politika, tregon se Dogana vazhdon të tregojë një performancë të mirë të të hyrave sepse ndikimi nga të gjitha këto është rreth 150 milionë euro drejtpërdrejt në taksa nga MSA-ja dhe lirimet për prodhues.
Berisha theksoi se efekti i kallëzimeve penale dhe kundërvajtjeve të zbuluara nga tentim kontrabandimi është diku rreth 10 milionë euro që ka një efekt direkt, ndërsa efekt indirekt është parandalimi i kësaj dukurie.
“Ne si doganë kemi mbledhur para tri-katër vjetëve rreth 950 milionë euro të hyra, sot i kemi rreth 1.2 miliardë euro të hyra, që do të thotë është diku rreth 30 për qind më shumë, kjo pa ndryshime të taksave, por ndryshime ka pasur vetëm në aspektin fiskal, ku janë liruar nga importi, si është MSA-ja, marrëveshjet për tregti të lirë dhe të tjera. Kjo tregon se një shumë e të hyrave është falë kapaciteteve dhe luftimit të ekonomisë joformale dhe kontrabandës. Kemi rezultate të dukshme, sepse është e pa mundur të ketë të hyra nëse nuk luftohet kontrabanda më shumë se rritja ekonomike”, deklaron ai.
Drejtori Berisha pohon se në masat mbrojtëse ndaj Serbisë dhe Bosnjës, sfidë ka paraqitur luftimi i krimeve trans-kufitare dhe kontrabandës, sidomos i këtyre produkteve të cilat kanë tentuar që të kontrabandohen përmes rrugëve malore në sasi të vogla, me automjete të vogla apo në forma të tjera të transportit.