Lajme

DioGuardi: Themelimi i Asociacionit mund të shkaktojë më shumë tensione sesa progres

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të shkaktojë më shumë tensione sesa të sjellë progres, ka vlerësuar ish-kongresisti amerikan me origjinë shqiptare, Joseph DioGuardi, cili të shtunën ka mbërritur për vizitë në Kosovë, të parën që pas 14 vjetësh.

Në një prononcim për KOHËN, ai e shprehu qëndrimin kundër Asociacionit, tek vlerësoi se nuk nevojitet krijimi i një mekanizmi për të konstatuar më shumë të drejta për serbët në Kosovë.

“Pse duhet t’i japim të drejta një vendi që është i afërt me Rusinë dhe Putinin? Pse duhet t’i japim mundësi Serbisë që të shkaktojë edhe më shumë probleme sesa që tashmë po shkakton? Serbët këtu i kanë të gjitha të drejtat. Kështu që, nuk ka nevojë për një Asociacion për të konstatuar më shumë të drejta, pasi që kjo mund të shkaktojë probleme në të ardhmen”, ka deklaruar ai.

DioGuardi për vizitë në Kosovë erdhi bashkë erdhi me disa përfaqësues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Këshilltarja për çështje të Ballkanit Perëndimor në këtë Ligë, Shirley Cloyes DioGuardi, tha se qëndrim të njëjtë lidhur me Asociacionin ndan edhe kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan, Bob Menendez.

“Senatori Menendez e ka bërë të qartë që Asociacioni nuk është hapi i ardhshëm që duhet të merret. Ju do të dëgjoni deklarata të ndryshme nga qeveria jonë, por është e rëndësishme që kosovarët të aktivizohen dhe të tregojnë sesi dëshirojnë që të shkojë procesi”, ka thënë Shirley Cloyes DioGuardi.

Që prej trazirave të shkaktuara në veriun e banuar kryesisht me serbë, shkaku i vendosjes së kryetarëve të rinj në objekte komunale, Kosova është përballur me masa edhe nga Shtetet e Bashkuara, duke mos u ftuar në stërvitje të përbashkëta ushtarake e përjashtuar nga projektet evropiane. Por sipas ish-kongresistit amerikan, raportet në mes të Wshingtonit dhe Prishtinës zyrtare kurrë nuk kanë qenë më të mira.