Shqipëri

Di Maio: Shqipëria është vendi që ka ndihmuar më shumë Italinë

Grupi i dytë me personel mjekësor nga Shqipëria ka mbërritur në Italia. Sipas një njoftimi të ministrisë së Shëndetësisë ekipi i dytë ka 60 mjeke dhe infermierë të cilët do të shërbejnë në vijën e parë të frontit kundër COVID-19 në Itali.

Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio ka qenë personalisht sëbashku me ambasadoren shqiptare në Itali për të pritur mjekët dhe infermierët.

Ai tha se ndihet krenar për ndihmën që ka marrë Italia dhe se vlerëson shumë solidaritetin e Shqipërisë. Ai bëri të ditur se mjekët dhe infermierët do të dërgohen në Marche ku do të shërbejnë për “t’i dhënë frymë” mjekëve dhe infermierëve italianë që siç tha ai kanë rreth 40 ditë që luftojën me koronavirusin.

Ndër të tjera Di Maio tha gjithashtu se “nëse bëjmë raportin e mjekëve dhe infermierëve që kanë ardhur nga Shqipëria me numrin e banorëve të Shqipërisë kemi një proporcion i cili është sigurisht më i larti nga ndihmat që ka marrë Italia”. / opinion.al