Lajme

Dënohet me 2 vite burg ish-kryeprokurori shqiptar, Adriatik Llalla

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka dhënë dënimin me 2 vite burg për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, si dhe i ka konfiskuar pasurinë e tij, ndërsa për 5 vite me radhë nuk do të ushtrojë funksione publike.

Vendimi është dhënë nga gjyqtarja e posaçme Daniela Shirka, e cila e vonoi verdiktin për rreth një orë nga parashikimi fillestar.

Llalla nuk preferoi që të bënte asnjë koment pas vendimit që ka dhënë GJKKO ndaj tij, ndërsa në sallë ka pllakosur heshtja, ku të pranishëm ishin dhe përfaqësues të ambasadës amerikane në vendin tonë.

Sipas vendimit të dhënë nga GJKKO Llalla duhet ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme në rast se ai do të mbetet në fuqi dhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit.