COVID-19 ka shtatë grupe të simptomave -19
Sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi mund të ketë simptoma të ndryshme. Ekspertët tani kanë identifikuar biomarkerë të rëndësishëm dhe kanë karakterizuar shtatë grupe të simptomave. Një gjë e tillë mund të ndihmojë në procesin e shërimit, si dhe në zhvillimin e një vaksine efikase
Djegia e fytit, kokëdhembja, rrjedhja e lehtë e hundës… Cilat janë saktësisht simptomat e COVID-19?
Një vit më parë simptomat e tilla të sëmundjeve apo të ftohjeve të lehta nuk është se kanë tërhequr ndonjë interesim. Por sot, në vjeshtën e 2020-s, pasqyra është krejtësisht ndryshe, ka shkruar të premten agjencia gjermane e lajmeve “Deutsche Welle”.
“Mjafton vetëm të teshtijmë një herë dhe të nisim e të mendojmë thellë: ‘Ku kam qenë ditëve të fundit, sa u jam afruar njerëzve, çfarë kam prekur? A po ndiej erë apo shije? Paksa po ngelem pa frymë…”, ka shkruar agjencia. “Stop! Nëse kështu mendoni, nuk jeni të vetmit”.
Edhe shkencëtarët dhe mjekët shpesh janë të preokupuar me mendime të ngjashme dhe edhe më tutje janë duke bërë përpjekje që të gjejnë gjurmët e simptomave të shumta, të cilat mund t’i ketë një person që është i infektuar me koronavirus.
Shkencëtarët e Universitetit të Mjekësisë në Vjenë tani mendojnë se mund të vënë paksa më shumë rend në listën e gjatë të raportimit të personave të infektuar me koronavirus. Ata, sipas agjencisë, kanë konstatuar shtatë forma të ndryshme të simptomave tek personat me formë më të butë të sëmundjes. Konstatimet e këtij studimi janë publikuar në revistën shkencore “Allergy”.
Qëllimi parësor i shkencëtarëve është që të zbulohet se si duket një imunitet i fortë pas shërimit dhe të konstatohet se mbi çfarë baze mund të matet një gjë e tillë. Me këtë qëllim, ka shkruar “DW”, imunologu Winfried Picklom, alergologu Rudolph Walent dhe kolegët e tyre kanë hulumtuar 109 persona që e kanë tejkaluar infeksionin e koronavirusit. Ata njëherësh kanë hulumtuar edhe 98 persona të shëndoshë, për shkaqe të krahasimit, dhe kanë bërë kërkime me mostrat e tyre të gjakut.
Simptomat më tipike
Bazuar në këto të dhëna, shkencëtarët kanë arritur të tregojnë se simptomat e ndryshme janë të ndërlidhura dhe se ato shfaqen tek të ashtuquajturat grupe simptomash. Ata kanë identifikuar me këtë rast shtatë grupe të simptomave.
Si të parat kanë përmendur simptomat e ngjashme me gripin, që përfshijnë ngritjen e temperaturës trupore, ethet, lodhjen dhe kollën. Pastaj kanë numëruar simptomat e ftohjes, me rrjedhje të hundës, teshtimë, djegie të fytit dhe mbylljen e hundës.
Në grupin e tretë të simptomave kanë përfshirë dhembjet në nyja dhe muskuj, derisa në të katërtin kanë numëruar irritimin e syve dhe mukozës.
Grupin e pestë të simptomave e kanë cilësuar si të kategorisë së problemeve me mushkëritë, që përfshijnë ndezjen e mushkërive dhe vështirësimin e frymëmarrjes.
Në grupin e gjashtë të simptomave përfshihen problemet gastrointestinare, si diarreja dhe kokëdhembja.
Ndërkaq në grupin e shtatë dhe të fundit kanë përfshirë humbjen e shqisës së të nuhaturit, shijimit dhe simptomat e tjera.
“Në grupin e fundit kemi konstatuar se përfshihen personat me sistem më të ri imunitar, tek të cilët shfaqen simptomat e humbjes së shqisës së të nuhaturit dhe të shijimit”, ka thënë drejtuesi i studimit dhe imunologu Winfried Pickl, duke folur për gjermanen “DW”.
Sistemi më i ri imunitar nuk matet sipas moshës së pacientit, por me numrin e qelizave imunitare që burojnë nga limfocitet T.
Shkencëtarët kanë bërë të ditur se mund të ndodhë që të ketë edhe përputhje mes grupit të simptomave. Ata kanë vërejtur tregues të lidhjeve midis grupeve të ndryshme dhe parametrave specifike imunitar. Për shembull, nëse rrjedha e sëmundjes përcillet me temperaturë të lartë trupore në korelacion me memorien imunologjike të trupit do të mund të ishte tregues i një imuniteti relativisht të gjatë.
Humbja e shqisës së shijimit dhe nuhatjes, nga ana tjetër, përbën një tregues të nivelit të lartë të limfociteve T.
COVID-19 – “gjurma e gishtërinjve” në gjak
Në bazë të analizave të gjakut, shkencëtarët kanë arritur që t’i identifikojnë disa markerë të rëndësishëm të COVID-19. Ata kanë zbuluar se kjo sëmundje pas dhjetë javësh shkakton ndryshime domethënëse në sistemin imunitar – në atë që mund të konsiderohet e ngjashme si me “gjurmët e gishtërinjve” në gjakun e pacientëve, ka shkruar “DW”.
Numri i granulociteve, të cilat ndryshe janë përgjegjëse për luftimin e patogjenëve bakteriologjikë në sistemin imunitar, ka qenë dukshëm më i ulët sesa normalja në grupin e personave që kanë pasur COVID-19.
“Ishte kjo një gjë befasuese dhe krejtësisht e re”, ka thënë imunologu austriak për agjencinë.
“Për këtë arsye, qelizat imunitare CD4 dhe CD8 krijojnë një lloj memorie, ndërsa qelizat T të CD8 mbesin jashtëzakonisht aktive. Kjo gjë tregon se sistemi imunitar ende e trajton në mënyrë intensive sëmundjen, edhe pas shumë javësh që nga infektimi”, ka shpjeguar Pickl.
Kjo mund të jetë arsyeja pse shumë pacientë, edhe pas infektimit me COVID-19, vazhdojnë të ndiejnë plogështi për kohë më të gjatë. Njëkohësisht, rregulluesit e qelizave-T janë evidentuar si dukshëm më të ulëta. Kjo gjë, sipas Pickl, është një përzierje e rrezikshme që mund të çonte drejt sëmundjeve autoimune.
Përveç kësaj, në gjakun e personave të shëruar nga sëmundja është dëshmuar edhe rritje e numrit të qelizave imunitare që krijojnë antitrupa.
“Gjetjet tona i kontribuojnë krijimit të një pasqyre më të qartë rreth sëmundjes dhe ndihmojnë në zhvillimin e vaksinave të mundshme, duke e pasur parasysh faktin se tani mund të mbështetemi në biomarkerë premtues dhe mund të ndërmarrim vëzhgime edhe më të mira”, kanë thënë shkencëtarët nënshkrues të studimit. “Tani e dimë se limfocitet B dhe T janë parametra të rëndësishëm, kur e vlerësojmë një vaksinë”, ka thënë Pickl.
Studimi para së gjithash ka treguar se imuniteti tek personat e infektuar “dyfishohet” në mbrojtje prej sëmundjes, me ndihmën e qelizave imunitare dhe antitrupave – në atë që mund të krahasohet me mbrojtjen e një ekipi të futbollit. Qelizat imunitare kësisoj mund t’i “mbajnë mend lëvizjet e caktuara” të virusit dhe të reagojnë ndaj tyre.
Tani, sipas shkencëtarëve, detyra është që këto të dhëna të vihen në zbatim, në atë që do të mund të luante një rol të rëndësishëm për shërimin e pacientëve dhe për zhvillimin e vaksinës efikase.