Çmimi që e paguan çdo qytetar
Frikësohuni nga ata që me fjalë të mëdha thonë se do ta luftojnë korrupsionin! Të tillët vetëm fatkeqësi sjellin. Fjalët e tyre nuk janë të rëndësishme, duart po: sepse me ato duar kanë vjedhur dhe do të vjedhin
1.
Te ne ekziston çmimorja e korrupsionit. Për disa tenderë – 10 për qind, për disa 20 për qind, e për disa 100për qind. Ekonomistët këtë do ta quanin: treg i rregulluar mirë.
Në tregun e rregulluar, korrupsioni luftohet vetëm gjatë fushatës elektorale. “Hajde, më provoni edhe mua”, thotë ai që është provuar dhe nuk ka dështuar në vjedhje qe 20 vjet. “Hajde, pa më provoni edhe mua pak – nja 100 a 200 ditë”, bërtet tjetri, i cili as anëtarët e kabinetit nuk i njihte.
Kjo kategori politikanësh vjedh sapo ta marrë pushtetin dhe shpesh sa herë që i vjen rasti. Kur s’mund ta vjedhë shtetin, nxjerr fitime e përfitime nga bizneset ilegale.
Firma, kazino, patundshmëri, gurthyes. Gjithçka. Hajde, mos e provoni më asnjë prej tyre. Frikësohuni nga ata që me fjalë të mëdha thonë se do ta luftojnë korrupsionin! Të tillët vetëm fatkeqësi sjellin.
Fjalët e tyre nuk janë të rëndësishme, duart po: sepse me ato duar kanë vjedhur dhe do të vjedhin. Cilat parti duhet zgjedhur? Këtë duhet ta dini vetë. Por cilat nuk duhet zgjedhur – kjo do të duhej të jetë e qartë për çdokënd.
2.
PDK-ja po thotë se tash më të vërtetë do ta luftojë korrupsionin. Me Kadri Veselin. Dhe shumë njerëz shqyhen së qeshuri kur dëgjojnë këso mesazhesh nga PDK-ja. Po ku qenë këta gjeni që nuk e luftuan korrupsionin qe një dekadë. Janë në pushtet qe një dekadë – dhe me gjasë s’kanë pasur fare kohë të merren me luftimin e korrupsionit, sepse kanë qenë të zënë me kurdisjen e vjedhjeve kolosale.
Dekada e tyre do të mbahet në mend si dekadë kur, sapo u shpall pavarësia, nisi shkatërrimi i saj. E tash duan të luftojnë korrupsionin? Përralla. Dokrra. Demagogji. Fyerje ndaj qytetarëve. Tallje. Hipokrizi. Neveri. Ka një tendencë nga përkrahësit e verbër të Kadri Veselit, të cilët duan të thonë: të zezat i ka shkaktuar Hashim Thaçi, por Veseli është ndryshe. E që të dy kanë qenë si mishi e thoi.
3.
Në fillim të vitit të kaluar, kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi 943 mijë euro për të shënuar vitin e Skënderbeut. Haradinaj tha se janë një numër aktivitetesh për ta shënuar vitin gjithëkombëtar. Sipas tij, 250 mijë euro do të ndahen për restaurimin e kishës së Skënderbeut në Prizren dhe paratë e tjera për aktivitete të tjera që do të bëhen në vitin e Skënderbeut.
Qeveria i ndau 500 mijë euro për vitin e Skënderbeut. A e di kush a u restaurua Kisha e Skënderbeut në Prizren? Nëse jo, si dhe për çfarë aktivitetesh janë harxhuar 500 mijë euro në emër të Skënderbeut? A ka auditor që e sqaron këtë? A ka shoqëri civile që shtron pyetje? A ka prokurorë? A ka opozitë? Po mbi 500 mijë euro për shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë? A ka ndonjë pasqyrë të detajuar se si janë harxhuar ato para? E si janë harxhuar gati krejt rezervat shtetërore? Po gati 300 mijë euro për familjet e aventurierëve që shkuan të shkaktojnë tensione në Kumanovë për llogari të shërbimit sekret të Nikolla Gruevskit? Po mijëra euro për aksionin për pastrimin e Kosovës? Kosovës i duhet urgjent një qeveri tjetër, urgjent një kryeministre apo kryeministër që kuletën e shtetit e ruan më mirë se kuletën e vet! Po u lanë këta që janë në pushtet, do të fillojnë të ndërtojnë në çdo fshat nga një shtab të UÇK-së, derisa të bëhen 60 mijë shtabe. Për secilin veteran nga një shtab.
4.
Çmimin që po e paguan çdo qytetar nga keqqeverisja është tepër i lartë. Pjesën e fajit në keqqeverisjen shumëvjeçare e kanë PDK, LDK dhe AAK. LDK-ja tepër gjatë dhe në emër të disa interesave kinse nacionale ka pranuar rolin e patericës së atij që quhet “krah i luftës”, dhe tashmë me plot të drejtë mund të quhet vetëm “krah i plaçkitjes”.
Kjo keqqeverisje ka arritur të dëshpërojë mijëra familje kosovare. Shumë prej tyre mezi presin të hiqen vizat dhe të ikin nga vendi. Mijëra familje tashmë janë larguar. Gati çdo ditë Gjermania ia korr Kosovës kuadrot, sidomos në fushën e shëndetësisë.
Mirë për Gjermaninë, e cila vjel kuadro si në vetëshërbim jo vetëm në Kosovë. Për vende si Kosova ky zhvillim është negativ dhe mund të bëhet dramatik në vitet në vijim, sepse njëkohësisht po bie edhe nataliteti.