Opinione

Buxhovi: Dëmi që PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja ia kanë bërë Kosovës është shumë i madh

Jusuf Buxhovi ka vlerësuar se partitë politike kanë vazhduar të ruajnë mendësinë që shteti duhet të jetë instrument për fuqinë e tyre materiale, e jo që shteti të jetë një kauzë, që të ndërtohet si demokraci.

Në emisionin Desku në KTV, Buxhovi ka thënë se e ka fjalën për pjesën më të madhe të partive politike, që sipas tij janë gati të njëjta. Ka thënë se e ka fjalën për partitë politike që janë në pushtet prej vitit 2000, ndërsa ka përmendur PDK-në, LDK-në dhe AAK-në.

“Ka të bëjë edhe me ligjin zgjedhor, që ka krijuar despotë. Listat kur bëhen, ato kontrollohen, mbikëqyren, barten votat, bëhen manipulime më të mëdha se sa kur bëhen vjedhjet që janë konstatuar. Bëhen me shpërndarjen e votave të deputetëve, që kurrë nuk mund të jenë të pavarur sepse ata kontrollohen. Bosët kryesorë janë te këto tri parti politike, te PDK, LDK, AAK, është një trekëndësh”, ka thënë Buxhovi.

“Prapë edhe ajo nuk mund të ketë alibi të plotë. Por kur flasim për LDK, PDK, AAK etj., të gjitha mbajnë përgjegjësi që nuk ka ardhur te një demokratizim i plotë i jetës politike. Por prapë këto parti janë të tilla pasi në kohën e UNMIK-ut, por edhe më vonë, kodi zgjedhor që është caktuar është gjeneratori kryesor i problemeve dhe despotizmit politik që ne e kemi sot në Kosovë, të gjitha partitë. Kodi zgjedhor i është dashtë edhe faktorit ndërkombëtar dhe veçmas politikanëve tanë me mendësi feudale dhe despotike, që të kontrollojnë edhe listat. Përderisa të ekzistojë një kod i tillë do të kemi jetën politike të tillë. Ajo ka gjeneruar që këta faktorë politikë mos të demokratizohen, të krijojnë feude të ndryshme dhe këto janë të përbashkëta”.

Sipas tij, mungesa e demokratizimit në shtetin e Kosovës është pasojë e mungesës së demokracisë së brendshme në partitë politike.