Çitaku: Raporti i “Freedom House” që e lidhte Thaçin me korrupsionin në Kosovë është i pasaktë
Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, e ka vlerësuar të pasaktë raportin e fundit të “Freedom House” për Kosovën, në të cilën përsëri ish-presidenti Hashim Thaçi është përmendur si figurë e lartë politike e lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Pos Thaçit, “Freedom House 2022” për Kosovën përmendi si figurë të lidhur me korrupsion e krim të organizuar edhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në një shkrim në Facebook, Çitaku ka komentuar raportin që e nxjerr Thaçin si figurë të lidhur me krimin, edhe pse është duke u mbajtur qe një vit e gjysmë nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Raporti i fundit i ‘Freedom House’, ku përmendet ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i pasaktë. Presidenti Thaçi pothuajse dy vjet po mbahet padrejtësisht në Qendren e Paraburgimit në Hagë, duke iu mohuar e drejta për mbrojtje në liri. Duke mos qenë as fizikisht në Kosovë, e aq më pak politikisht aktiv, do të doja ta di formulën magjike që sipas raportit në fjalë, z.Thaçi e paska përdorur për të zgjedhur e emëruar njerëz në Kosovë. Për më tepër, çdo vizitë dhe çdo telefonatë e zotit Thaçi është e monitoruar. Këto lloj raportesh, po të mos ishin edhe të dëmshme, do të ishin thjeshtë qesharake”, ka thënë ajo duke shtuar se “janë pikërisht raporte të tilla, pa burim informacioni dhe pa asnjë fakt të vetëm, që Prokuroria në Hagë mezi pret t’i keqpërdorë për t’i lënë krerët e UÇK-së edhe më tutje në paraburgim”.
Çitaku ka thënë se e ka vizituar Thaçin në Hagë të martën.
“E kam vizituar ish Presidentin në Hagë. Së fundi dje. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij e kanë para vetës një betejë të rëndësishme për historinë e luftës sonë çlirimtare. Sigurisht, edhe nga burgu, i gëzohen çdo suksesi të Kosovës, por as përpjekjen më të vogël nuk e bëjnë për të pasur çfarëdo lloj ndikimi politik”, ka thënë Çitaku.