Të fundit

Kryetari i Gjilanit dhe i Kamenicës vizituan Bujanocin

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ishte sot nikoqir i takimit me dy homologët e tij nga Gjilani dhe Kamenica, Alban Hyseni dhe Kadri Rahimaj.

“Kishim një bisedë vëllazërore ndërsa temat që na lidhin shfaqin interesin e përbashkët të qytetarëve tanë në të dy anët e kufirit”, u tha në konferncën për media pas takimit.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, tha se jemi dakorduar të mendojmë globalisht por se të veprojmë në nivel lokal e rajonal ngase vetëm kështu mund të jemi më pranë qytetarëve tanë.

Arifi përmendi përmendi projektin e përbashkët të urës që lidh Breznicën me Karaçevën, përkatësisht Bujanocin me Kamenicën, duke shtuar se ishte vetëm një uvertyrë për projektet që do të pasojnë.

“Jemi pajtuar që projekt të ngjashëm të realizojmë edhe në fshatin Muhoc ndërsa diasporën tonë këtë verë do ta presim me disa aktivitete të përbashkëta “, theksoi Arifi.

Kryetari i Bujanocit potencoi edhe disa projekte tjera rajonale për të cilat tha se do të kërkohet mbështetje nga qeveria e Kosovës por edhe tek fondet ndërkobëtare.

Kryetari i komunës së Gjilanit Alban Hyseni dhe ai i Kamenicës, Kadri Rahimaj, thanë se e çmojnë lartë përvojën e homologut të tyre Nagip Arifi në qeverisje dhe se idetë e tij janë të mirë se ardhura.

“Neve na lidhin shumë probleme të përbashkëta por edhe shumë ide për të vepruar bashkërisht”, tha Hyseni.

“Me Bujanocin dhe Gjilanin e kemi të patjetërsueshme të bashkëpunojmë, kemi filluar mbarë, po takohemi shpesh, kemi vullnet, kemi qëllim të mirë dhe besoj se do ta kurorëzojmë me sukses bashkëpunimin”, u shpreh kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj.

Në takim me gazetarë u diskutua edhe për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë për të cilën u tha se është domosdoshmëri përfundimi sa më i shpejt i saj, meqë paraqet arterien lidhëse për Anamoravën dhe Luginën si element shtesë për lidhjen midis njerëzve të këtyre zonave por edhe për zhvillim ekonomik.

Gjithashtu u theksua edhe nevoja e zgjidhjes së çështjes së vendkalimeve kufitare alternative në Breznicë dhe Dobrosin për të cilat kryetari Arifi paralajmëroi një takim të përbashkët me kryeministrin Kurti.

Në takimin e sotëm midis kryetarëve të komunës prezent ishin edhe ata të Kuvendeve Komunale, Enver Ramadani kryetar i KK të Bujanocit, Lirodon Kastrati, kryetar i KK të Kamenicës dhe Arianit Sadiku, kryetar i KK të Gjilanit.