Cakaj takon biznismenin dhe politikanin nga Medvegja Muharrem Salihin
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka pritur këshilltarin e Kuvendit komunal të Medvegjës, Muharrem Salihi.
Në takim u bisedua për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Komunën e Medvegjës si rrjedhojë e procesit të fshirjes së adresave. Përderisa kjo po dëmton faktorin shqiptar atje, bashkëbiseduesit u pajtuan plotësisht për rëndësinë e një qasje të bashkërenduar të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë në mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë.
“Sot prita në takim deputetin e Komunës së Medvegjës, z. Muharrem Salihu dhe përfaqësuesin e klubit Trojet, z. Gani Syla! Biseduam hollësisht për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Komunën e Medvegjës si rrjedhojë e procesit të fshirjes së adresave. Përderisa kjo po dëmton faktorin shqiptar atje, u pajtuam plotësisht për rëndësinë e një qasje të bashkërenduar të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë në mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë.
Po ashtu, e njoftova edhe për mbështetjen financiare e politike të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për çeljen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë, si një instrument shtesë për t’iu dhënë zë të shtuar shqetësimeve e mbështetje më të prekshme shqiptarëve të Medvegjës” shkroi Cakaj pas takimit