Bytyçi – Kurtit: Ke përçarë diasporën, Mali i Zi ka 3 herë më pak popullsi se Kosova grumbulloi 6 milionë euro
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, thotë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përçarë diasporën shqiptare.
Përmes një reagimi në profilin e tij, Bytyçi ka thënë se Mali i Zi me një popullsi tri herë më të vogël se Kosova ka grumbulluar më shumë se 6 milionë euro nga diaspora.
Derisa Bytyçi thotë se Kosova deri tani nga diaspora ka grumbulluar vetëm 400 mijë euro.
“Popullizmi ashtu sikurse gënjeshtra, i kanë këmbët e shkurta. Bëjnë shumë zhurmë në fillim, por punët i kanë të mangëta e të vogla, siç i ka kjo qeveri e shkarkuar”, ka shkruar Bytyçi.
Deklarata e plotë e Avni Bytyçit:
Shqiptarët e diasporës, për një kohë të gjatë, kanë qenë baza e rezistencës sonë kulturore e kombëtare. Që nga koha e rilindësve e deri më sot, diaspora ka luajtur një rrol vendimtar në çështjet me rëndësi kombëtare.
Në rrethanat më të vështira, diaspora jonë ka qenë shpresa e rimëkëmbjes sonë.
Por, asnjëherë më parë nuk është abuzuar me diasporën tonë si në ditët tona. Ftesa e kryeministrit tani më të shkarkuar, z. Kurti, për të mbështetur financiarisht Kosovën në kohën e pandemisë është mashtrim dhe hipokrizi.
Republika e Kosovës ka para të mjaftueshme për të tejkaluar situatën e pandemisë. Mos aftësia e pushtetit aktual për të qeverisur me kapacitet që ka shteti, është thjeshtë dështim i pafalshëm.
Vetëm 391,886 euro janë grumbulluar nga diaspora që paraqet rreth 1/3-tën e popullsisë tonë, në krahasim me Malin e zi që ka tri herë popullsi më të vogël se ne, ka grumbulluar 6.817.483 euro. Madje ndryshe nga qeveria në ikje e Kosovës, malazezët e kanë procesin e donacioneve shumë transparent në faqen zyrtare https://www.coronainfocg.me/
Popullizmi ashtu sikurse gënjeshtra, i kanë këmbët e shkurta. Bëjnë shumë zhurmë në fillim, por punët i kanë të mangëta e të vogla, siç i ka kjo qeveri e shkarkuar.