Lajme

Borrell: Vuçiq pranoi propozimin tonë, Kurti jo

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave.

Borrell priti të hënën në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, tha Borrell për gazetarët.

“Ekziston një përgjegjësi e madhe për dështimin e bisedimeve sot dhe për çfarëdo
përshkallëzimi dhe dhune që mund të ndodhë në terren në ditët në vazhdim”, shtoi ai.

Paraprakisht, Vuçiq tha se në bisedimet me Kurtin për çështjen e targave, “nuk është arritur absolutisht asnjë marrëveshje”.

Megjithatë, shtoi ai, pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Josep Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.

“Ai kërkoi që ata [zyrtarët kosovarë] të mos shqiptojnë gjoba, e që ne mos të lëshojmë targa të reja KM – për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha Vuçiq.

“Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë”, tha ai dhe shtoi se Serbia “do t’i qëndrojë pranë popullit serb” në Kosovë.

Derisa Vuçiq u pa duke dalë nga takimi, mësohet se Kurti po vazhdon bisedimet me zyrtarët evropianë.

Me ndërmjetësimin e kryediplomatit të BE-së, Borrell, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan të hënën për të diskutuar rreth targave të automjeteve në Kosovë – çështje kjo që ka rritur tensionet mes dy vendeve.