Bota

Bizneset humbin durimin: Hapini kufijtë, menjëherë!

Dhjetë dhoma tregtare nga Zvicra, Austri dhe Gjermania kanë bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të mbylljes së kufijve. Sipas tyre fqinjët nuk janë tashmë të rrezikshëm për njëri tjetrin. Kështu, ato synojnë të shmangen dëmet e mëtejshme për ekonomitë e vendeve respektive.

Po kështu, pesëmbëdhjetë kryetarë bashkishë dhe dy deputetë federalë të CDU-së nga rajone pranë kufirit në Baden-Württemberg tashmë po bëjnë presion për një hapje të kufijve në mes të Zvicrës dhe Gjermanisë, shkruajnë mediat gjermane dhe zvicerane.

Ata ankohen se bashkëjetesa në rajonin kufitar është ngarkuar masivisht nga mbyllja e kufirit dhe për këtë arsye i janë drejtuar Ministrit të Brendshëm federal Horst Seehofer, transmeton albinfo.ch. Mirëpo, ky i fundit dëshiron të mbajë kontrollet kufitare deri më 15 maj.

Siç dihet, kufijtë janë mbyllur për shumicën e njerëzve për afërsisht dy muaj. Në një rajon që është unik edhe përkundër kufijve që e ndajnë, siç është rajoni rreth Liqenit të Konstancës (Bodensee) kjo gjendje është përbën vështirësi për ekonominë por edhe për popullsinë.

“Asnjë ditë nuk mund ta falim më tutje!” Kjo është arsyeja pse dhjetë dhomat e tregtisë nga Zvicra, Austria dhe Gjermania e kërkojnë hapjen e kufijve, përcjell albinfo.ch një komunikatë të dhomave në fjalë. Ato duan që kufijtë kombëtarë të hapen menjëherë. Dhe bëjnë thirrje për kthimin në lëvizjen e lirë të njerëzve.

Dhoma e Tregtisë së landit austriak të Vorarlbergut, Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të kantoneve zvicerane në kufi me Gjermaninë dhe Austrinë: St. Gallen, Appenzell dhe Thurgau, pastaj Dhoma e Tregtisë e Cyrihut ajo e Bazelit, IHK-të në Badenin e Jugut, të Liqenit të Konstancës, pastaj të Shvabisë së epërme dhe të Bavarisë, pra, insistojnë që kufijtë kombëtarë të hapen menjëherë.

“Për fat të mirë, fqinjët tanë nuk përbëjnë më kërcënim për sigurinë e brendshme të Gjermanisë. Ndërkaq, kontrollet kufitare shkaktojnë dëme të konsiderueshme ekonomike, sociale dhe shoqërore çdo ditë”, thotë Claudius Marx, menaxher i përgjithshëm i IHK Hochrhein-Bodensee, përcjell albinfo.ch.

Së bashku me organizatat partnere në jug të Württembergut dhe të Badenit si dhe në Vorarlberg dhe Zvicrën Lindore, të cilat së bashku përfaqësojnë mbi 200,000 ndërmarrje, ai bëri thirrje që mbyllja e kufirit të hiqet “shpejt”.