Lajme

Bislimi: Serbët që s’konvertojnë targat në RKS do të gjobiten me 150 euro

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se serbët që nuk do të konvertojnë targat ilegale serbe në RKS do të gjobiten me 150 euro, kur të fillojë gjobitja më 21 nëntor, sipas vendimit të ri të Qeverisë.

“Nga e marta [1 nëntor] deri më 21 nëntor, qytetarët që kanë targa të paligjshme do të marrin paralajmërim, më pas policia do të duhet të shkruajë gjoba, sipas ligjit. Me sa di unë gjobat do të jenë 150 euro dhe qytetarët do të marrin udhëzime si të ndërrohen targat ilegale. Kjo do të zgjasë deri më 21 janar, kur do t’u jepen targat e përkohshme”, tha Bislimi, duke folur përmes videolidhjes, në Konferencën e Sigurisë në Beograd, shkruan Kurir.rs, transmeton Klankosova.tv.

Bislimi mori pjesë virtualisht në këtë konferencë, ku ishte paraparë të merre pjesë fizikisht por u detyrua të kthehet prapa disa kilometra në afërsi të Beogradi pasi autoritetet serbe nuk i ofruan siguri.

Qeveria, në mbledhjen e djeshme, aprovoi propozimin e kryeministrit Albin Kurti për shkallëzimin e sanksioneve për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës.

Nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të vlejë masa e qortimit. Nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese.

Kurti tha se pas datës 21 prill nuk mund të ketë targa të tjera në Kosovë, pos atyre RKS.