LajmeTë fundit

Kurti takon gazetarët, tregon pse s’e takoi Thaçin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot gjatë ditës i ka refuzuar dy ftesat e presidentit Hashim Thaçi i cili e ftoi në takim konsultativ për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

Vetëm pas ftesës së dytë – për takim në orën 20:00 – Kurti i ktheu një letër të parit të vendit ku tha se ka qenë jashtë vendit, dhe se as sonte nuk mund të shkojë në takim.

Por, i pari i Vetëvendosjes që nuk gjeti kohë për takimin me presidentin duket se pati kohë që të takojë gazetarët në festën e fundvitit.

Madje, nga aty ai edhe ka treguar arsyen se pse i ka refuzuar dy ftesat e njëpasnjëshme të presidentit Hashim Thaçi.

“Kam marrë sot dy ftesa, por agjenda e krerëve të shtetit është shumë e ngjeshur. Prandaj, nuk mund të takohemi ashtu, përveç kur ka ndonjë fatkeqësi ose ndonjë urgjencë tjetër”.

“Kam qenë në Shkup, dhe unë nuk e kam agjendën sot për sot”.

Ai ka thënë se do të takohet me Thaçin, por ka theksuar se paraprakisht do t’i shqyrtojë nenet që janë përmendur.

Presidenti Hashim Thaçi fillimisht e ftoi liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin – si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit – në një takim konsultativ për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë për në orën 13:30.

Kurti nuk shkoi në këtë takim, por Thaçi e ftoi prapë.

I pari i vendit në letrën e dytë drejtuar Kurtit e fton atë prapë në takim në orën 20:00, pasi tha se nuk ka marrë asnjë arsyetim për mungesën e tij në takim. Por, edhe ky takim u refuzua nga Albin Kurti./Klan Kosova