Lajme

Bislimi pas takimit në Bruksel: Pala serbe ishte e interesuar vetëm për Asociacionin

Pala serbe ishte e interesuar të bisedojë vetëm për zbatimin e një pjese të Marrëveshjes Bazë, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjatë bisedimeve në Bruksel, tha të martën vonë kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.

Ai dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe. Petkoviq nuk ishte i interesuar as të bisedojë për planin e sekuencimit”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.

Petkoviq, ndërkohë, i cilësoi takimet si “të vështira, dhe shtoi se ai nguli këmbë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Paraprakisht, Lajçaku zhvilloi takime të ndara dypalëshe me Petkoviqin dhe Bislimin.

Takimi trepalësh filloi me vonesë, pasi bisedimet dypalëshe ndërmjet palës evropiane dhe asaj serbe zgjatën mbi dy orë, dyfish më gjatë sesa ishte planifikuar.

Më herët, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua.

Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut – përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit – që Vuçiq nuk i pranoi.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e një sulmi të armatosur në Kosovë – shtatorin e kaluar – ku mbeti i vrarë një polic.

Ai besohet se është i lirë në Serbi.

Pritjet që Bislimi dhe Petkoviq të dakordohen për ndonjë gjë, nuk janë të mëdha.

Disa runde bisedimesh mes tyre për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, përfunduan në maj pa ndonjë marrëveshje.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian./REL