Bernie Sanders i futet për herë të dytë garës për president të SHBA-së
Senatori i pavarur nga Vermonti, i cili kishte garuar edhe në fushatën presidenciale të vitit 2016, Bernie Sanders, ka njoftuar se do të garojë sërish për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Sanders e bëri të ditur këtë lajm përmes një shkrimi dërguar në adresat elektronike të përkrahësve të tij. Ai ka thënë se kandidatura e tij për president është mënyrë për ta përmbushur misionin e filluar për garën e Shtëpisë së Bardhë para tre vjetësh.
“Së bashku, ju, unë dhe fushata jonë e vitit 2016 e filluam revolucionin politik. Tash është koha për ta plotësuar atë revolucion dhe për ta zbatuar vizionin për të cilin luftuam”, thuhet në deklaratën e tij.
Sanders është 77-vjeçar dhe shumica e karrierës së tij politike është ndërtuar nën hijen e figurave tjera. Ai do të garojë në zgjedhjet presidenciale si kandidat i Partisë Demokratike. Sanders beson se mund të arrijë sukses, ndonëse do të përballet me një numër të madh të kundërkandidatëve brenda partisë dhe më pas duhet ta mposhtë Trumpin, të cilin e ka quajtur “presidentin më të rrezikshëm në historinë moderne të Amerikës”.