Bota

Ukraina nis shkëmbimin e të gjithë të burgosurve me separatistët pro-rusë

Forcat qeveritare ukrainase dhe separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore kanë nisur shkëmbimin e të gjithë të burgosurve, pas së cilës të gjithë të burgosurit e mbetur nga konflikti pesë vjeçar duhet të kthehen në shtëpi, ka thënë zyra e presidentit ukrainas të dielën.

Marrëveshja është arritur mes liderit rus, Vladimir Putin dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në dhjetor në Paris, raporton Reuters.

Shkëmbimi po ndodh tani në një postbllok afër qytetit industrial Horlivka në rajonin Donetsk.

Agjencia ruse e lajmeve RIA, duke cituar një zyrtar lokal nga Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut, ka thënë se Kievi do të dorëzojë 87 separatistë, ndërsa Donetsku do të kthejë mbrapshtë 55 luftëtarë pro qeverisë qendrore, transmeton Koha.net.

Forcat e Kievit kanë luftuar separatistët në rajonin Donbass në Ukrainën lindore që nga viti 2014 në një konflikt që ka marrë jetën e mbi 13 mijë njerëzve. Luftimet sporadike vazhdojnë edhe përkundër marrëveshjes për armëpushim.

Deri më tani ka pausr edhe shkëmbime tjera të të burgosurve mes Kievit dhe rebelëve. Në shkëmbimin e fundit, që ndodhi dhjetorin e 2017-ës, Ukraina dorëzoi rreth 300 robër tek separatistët pro-rusë dhe mori mbrapsht rreth 70.