Lajme

Bekim Jashari: Kaluan 21 vjet nga lufta, e Kullat në Prekaz ende në mëshirën e fatit, kjo është e papranueshme!

Për kryetarin e komunës së Skenderajt është absurde se si shteti 21 vjet pas luftës, nuk ka arritur ende të bëjë konservimin e kullave të Jasharajve.

Nipi i komandantit Adem Jashari, Bekimi po thotë se këto kulla kanë mbetur nën mëshirën e fatit, meqë dita ditës priten të shemben.

Kritika ka edhe për mos dokumentimin e krimeve dhe historisë së vendit, për çka tha se sot po përballet vendi me akuza te pabaza.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në seancën solemne të Kuvendit Komunal tha se nëntori është muaji më i ndritshëm dhe më i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare.

Sipas tij, festa e 28 Nëntor-it shënon tri data thelbësore të historisë së lavdishme, atë të festës së Flamurit, 108 vjetori e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e 65-të e Komandantit tonë Legjendar Adem Jashari dhe Dalja Publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Baba Shaban, babushi Hamza dhe bali Adem, siç i quajti ai, tha se kishin vendosur që luftën për lirinë e Kosovës ta vazhdojnë deri në frymën e fundit. Ata me 5,6 dhe 7 mars së bashku me anëtarët e familjes dhe tërë lagjen Jasharaj luftuan kundër forcave serbe, për tri ditë rresht, deri në rënien e tyre heroike në altarin e Lirisë, për të mos vdekur kurrë. Bekim Jashari tha se sa herë vjen nëntori nuk ka se si të mos kujtohet dalja e parë publike e UÇK-së, që ndodhi pikërisht në ditën e flamurit, me 28 nëntor. Nipi i Ademit, Bekimi tha se Ushtria Çlirimtare bëri luftë të drejtë për mbrojtjen e tokave, për këtë sipas tij çdo përpjekje për ta njollosur atë, do të dështojë. Lufta e saj është themeli i lirisë që sot frymon në shtetin tonë demokratik.

Ai pati edhe kritika për institucionet, meqë sipas tij nuk është bërë sa duhet për dokumentimin e historisë së Kosovës.

Jashari foli edhe gjendjen e kullave të Jasharajve, që sipas tij kanë mbetur nën mëshimin e kohës dhe ditës.

“Është absurde dhe e papranueshme që sot, 21 vite pas luftës ende shteti jonë nuk ka arritur të bëjë konservimin e kullave të Jasharajve të cilat kanë mbetur nën mëshirën e kohës dhe dita ditës rrezikohen të shemben. Sot, kur po përballemi me akuzat e Gjykatës Speciale ndaj luftëtarëve tonë të Lirisë, po bindemi se sa pak kemi bërë si shtet për të mbrojtur luftën tonë çlirimtare. Të nderuar të pranishëm, vëllezër e motra, shteti ynë edhe pas 12 vite pavarësi po përballet me sfida të mëdha por të cilat mund t’i tejkalojmë vetëm të bashkuar e duke vënë interesin shtetëror para çdo interesi partiak e grupor”, ka deklaruar Jashari.

Me këtë rast Bekim Jashari ka ndarë titullin qytetar nderi për humanistin, Halil Kastrati dhe kampionin në boks, Haxhi Krasniqi

Halil Kastrati tha se ndjehet i privilegjuar, qe në festën e flamurit dhe ditëlindjes te Adem Jasharit po nderohet si qytetar i kësaj komune. Për çka shtoi se do të jetë gjithmonë pranë familjeve në nevojë

28 nëntori shënon pavarësinë e Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit e legjendarit Adem Jashari.

Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton edhe daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor ta vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.