BE konfirmon takimin e Kurtin dhe Vuçiqit më 4 maj në Berlin
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj, ku do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Paralajmërimet janë se Lajçak do të ketë takim të përbashkët me të dy këta liderë.
Nëse realizohet, ky do të jetë takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit, prej vitit të kaluar.
“Kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka ftuar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në vizita të posaçme bilaterale në Berlin më 4 maj. Me ftesë të kancelarit Scholz edhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj për t’u takuar së pari me kancelarin e pastaj edhe në një takim joformal me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Në BE ka pasur përpjekje për të krijuar kushte që të ketë takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por deri më tani pa sukses.
Vetë kryediplomati i BE-së, Josep Borrell ka thënë se nuk do të ftojë liderët në një takim të tillë sa për sy e faqe, pa pasur indikacione të qarta se në takime të tilla do të arrihet përparim konkret.
Ky takim joformal në Berlin, nëse realizohet, mund të jetë një mundësi për të përmirësuar atmosferën në kuadër të dialogut dhe për ta bërë të mundur edhe ndonjë takim të nivelit të lartë në Bruksel.
Takimet e para që ishin zhvilluar me Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, një zyrtar i BE-së i ka quajtur si “takime jo të lehta, jo të këndshme dhe jo me përmbajtje”.