BE-ja dënon sulmin në Banjskë; Kosovës e Serbisë i kërkon zbatim të marrëveshjeve “pa vonesa dhe parakushte”
Këshilli Evropian është thellësisht i shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Ai dënon fuqishëm sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023.
Kështu thuhet mes tjerash në pikën 28 të konkluzave të miratuara nga samiti i BE-së i mbajtur në Bruksel më 26 dhe 27 tetor, raporton Klankosova.tv.
Aty theksohet po ashtu se BE-ja pret “që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”.
Ndër të tjera, u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë përpjekjet e qëndrueshme për deeskalim, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës.
“Dështimi për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, thuhet në konkluzat e miratuara pas përfundimit të samitit.
Po ashtu, Këshilli Evropian ka shprehur keqardhje për të dyja palët për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit të saj, si dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Liderët e BE-së i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë ato, “pa vonesa dhe parakushte”.
“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”, u theksua në konkluzat e miratuara të dala nga samiti dyditor i BE-së në Bruksel, raporton Klankosova.tv.
Në pikën 29 thuhet po ashtu se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të punojë ngushtë me Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesë përpjekjet e tyre reformuese në rrugët e tyre evropiane. /Klankosova.tv