FutbollSporti

Atdhe Nuhiu mund të mbetet te Sheffieldi

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës me prejardhje nga Presheva, Atdhe Nuhiu, ka gjasa të mëdha që të mbetet pjesë e Sheffield Wednesdayt edhe për edicionin e ardhshëm. Kështu ka thënë trajneri i ekipit që garon në Championship, Gary Monk, për mediumet angleze pas përfundimit të edicionit në kategorinë e dytë të futbollit anglez. Nuhiut i ka skaduar kontrata me Sheffieldin, pjesë e të cilit është prej vitit 2013 dhe nëpër mediumet angleze ishte raportuar për largimin e tij. Megjithatë, trajneri Monk është optimist se Nuhiu mund të mbetet në ekip edhe për edicionin e ardhshëm pas bisedës që ka pasur me sulmuesin e “Dardanëve”. Ndeshjen e fundit të këtij edicioni, Sheffieldi e humbi 2:1 në shtëpi nga Middlesbrough, në të cilën Nuhiu ishte titullar dhe u aktivizua për 73 minuta. Për Nuhiun, kjo ishte paraqitja e 38-të kampionale përgjatë edicionit 2019/20, në të cilën në total ka regjistruar 41 ndeshje në të gjitha garat duke shënuar shtatë gola dhe asistuar katër herë. Trajneri Monk ka pranuar se një numër i madh i lojtarëve do të largohet gjatë kësaj vere nga Sheffieldi, por jo edhe Nuhiu sipas të gjitha gjasave. Sulmuesi 30-vjeçar, gjatë shtatë sezoneve me fanellën e ekipit anglez, ka shënuar 50 gola në 277 ndeshje të zhvilluara.

“Për momentin, jemi ende në pritje për të sqaruar disa gjëra. Do të vazhdoj diskutimet me Nuhiun që ka qenë fantastik. Ai zgjati kontratën e tij për ta mbyllur edicionin me ekipin dhe kjo ishte e shkëlqyeshme. Edhe pse ende nuk kemi vendosur se si do të duket ekipi për sezonin e ri, mund të them se ekziston mundësia që Nuhiu të mbetet edhe më tutje te ne”, është shprehur Monk për “The Star”. “Kur pranoi vazhdimin e kontratës, ai bëri me dije angazhimin e tij për klubin dhe të gjithë e dimë historinë e tij dhe gjithçka që ka dhënë për klubin. Sigurisht se do të ketë freski në ekip për edicionin e ri, por do të sigurohemi fillimisht se kënd mund ta mbajmë. Besoj se shumë shpejt do të vijnë edhe sqarimet për gjithë këtë situatë”.

Nuhiu përpara se t’i bashkohet Sheffieldit, karrierë ka bërë edhe në Turqi e Austri. Ai ka qenë pjesë e skuadrave, si Eskisehirspor, Rapidit të Vjenës, Riedit, Austria Karntenit e FC Welsit. Përpara se ta përfaqësojë Kosovën në nivelin ndërkombëtar, Nuhiu ka luajtur për ekipet e reja të Austrisë (U21, U20 e U19). Ai me Kosovën ka debutuar në muajin mars të vitit 2013 dhe deri më tash ka shënuar dy gola në 15 paraqitje.