Lajme

Arrestohet në Kosovë “baroni i drogës”, Gëzim Çela

Gëzim Çela, i cili njihet si “baroni i drogës” në Shqipëri, është arrestuar të premten në Kosovë, raporton “Euronews”.

Çela akuzohet për trafik droge dhe grup kriminal.

Gëzim Çela ishte shpallur në kërkim me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrpusionit (SPAK) në kuadër të operacionit “Flakë në det” ku u arrestua shefi i Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj.

Çela, që ka pasur bazën në Fushë-Kuqe të Kurbinit, ka qenë i dënuar për “shfrytëzim prostitucioni”. Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë-Kuqe për trafik droge.

Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Evropës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë. Në pikën kufitare të Morinës në Kukës u arrestua shtetasi Erald Hysolli, me shtatë kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në Prishtinë u arrestuan në flagrancë tre persona, si dhe u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë. Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë-Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa. Forcat policore sekuestruan po ashtu nëntë armë, tre snajpera, granata dhe makina të blinduara.

Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentin se vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia rrethoi shtëpinë e Çelës në Mamurras më herët këtë vit, ai nuk ishte aty.