Armend Aliu largohet nga APN, do të veprojë i pavarur!
Vjen edhe reagimi i parë pas humbjes së shumicës në kuvendin komunal pas dorëheqjes së Sami Salihut.
Nënkryetari i APN’së, Armend Aliu përmes një statusi në llogarinë e tij zyrtare në FB ka njoftuar se tash e tutje rrugëtimi i tij politik do të jetë i pavarur, raporton Ministria e Lajmeve
“Cilido që të jetë epilogu i situatës së krijuar sot, pas dorëheqjes së kryetarit të kuvendit, qoftë zgjedhje të reja apo shumicë tjetër, përmes kësaj deklaratë ju njoftoj që unë rrugëtimin politik nga sot do ta bëj i pavarur”, shkroi Aliu, përcjell Ministria e Lajmeve.
z.Aliu ka qenë themelues i subjektit Alternativa për Ndryshim, ai është nënkryetar i këtij subjekti dhe njëkohësisht mban postin e zëvendës kryetarit të Komunës së Preshevës.
Përplasjet e para në mes të nëkryetarit Aliu dhe të kreut të ApN’së, z. Arifi për herë të parë u shfaqën gjatë përzgjedhjes së kandidatit të ApN’së për deputet në Parlamentin e Serbisë. Z.Aliu që shihej favorit kryesor për këtë kandidaturë si duket nuk e pati mbështetjen e kreut të subjektit të tij. Kjo duket se ishte edhe njëra ndër arsyet kryesore për çarjet në këtë subjekt i cili deri më tani ka udhëhequr me qeverisjen lokale në Preshevë.
Statusi i plotë i Nënkryetarit të APN’së, Armend Aliut:
Të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës
Ka kohë që jeni të informuar për dallimet në mendim dhe distancimin tim publik nga funksionimi i pushtetit lokal. Konfilktet e pandërprera dhe të panevojshme me të gjithë akterët e politikës sonë lokale, filluar nga qasja ndaj këshilltarëve të APN-së dhe themeluesve të kësaj partie politike, mospërfillja e partnerëve të koalicionit si dhe gjuha denigruese e përdorur me partitë opozitare kombinuar kjo me moskokëçarje për nevojat e qytetarëve kanë mbajtur kuvendin komunal në kriza të njëpasnjëshme si dhe ekzekutivin në një paralizë që pastaj ka rezultuar me mungesë të plotë të rezultateve.
Alternativa për Ndryshim ka 1 vit që ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor, nëndegët kanë mbaruar zgjedhjet në fund të vitit 2019, kemi edhe kryesi të re të degës së APN në Preshevë, dhe po të përfundonin më kohë zgjedhjet e kryesisë së përgjithshme do të kishim mundësi më të mira për konsolidim dhe për rezultate gjë e cila nuk ka ndodhur dhe as që pritet të ndodhë.
I vetëdijshëm që Presheva nuk e ka luksin për aventura politike, kam heshtë dhe kam bart faje e përgjegjësi që nuk më kanë takuar duke mos dashur që të bëhem shkaktarë për kalkulime politike brenda kuvendit komunal, sepse besoj që legjitimitetin për të udhëhequr e jep populli me votë.
Cilido që të jetë epilogu i situatës së krijuar sot, pas dorëheqjes së kryetarit të kuvendit, qoftë zgjedhje të reja apo shumicë tjetër, përmes kësaj deklaratë ju njohtoj që unë rrugëtimin politik nga sot do ta bëj i pavarur.
Kemi mjaftueshëm kohë që të ndërtojmë një ALTERNATIVË të re politike në Preshevë, që do të funksionojë në mënyrë të plotë DEMOKRATIKE dhe denjësisht do të përfaqësojë interesat SHQIPTARE.
“Kemi përgjegjësi me e bë Preshevën më të mirë”