Lajme

Andrija Mandiq zgjidhet kryetar i ri i Parlamentit të Malit të Zi

Andrija Mandiq është zgjedhur kryeparlamentar i Malit të Zi e njëherit edhe anëtar i Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, që komandon Ushtrinë e Malit të Zi.

Mandiq ka marrë mbështetjen e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare – koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi (partia e ish-Frontit Demokratik), Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe dhe dy parti shqiptare, gjatë votimit në një seancë të Parlamentit malazez të hënën pasdite.

Parlamenti malazez i ka 81 deputetë.

Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë u larguan nga salla para votimit. Ata lidhën një fjongo të zezë në mikrofon në emër të, siç thanë, ditës së zezë për demokracinë në Mal të Zi.

Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ajo është, po ashtu, kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.