Lajme

“Albin Kurti po ‘luan’ me Vjosa Osmanin për të shkuar në zgjedhje”

Profesori universitar, njëherësh njohësi i çështjeve politike në vend Milazim Krasniqi ka deklaruar se Albin Kurti po luan me Vjosa Osmanin e LDK-së për të shkuar në zgjedhje të reja.

Sipas Krasniqit, këtë lojë të Kurtit nuk po mund ta kuptojë partia e Isa Mustafës, pasi siç thotë Krasniqi ‘Në LDK disa janë tepër pleq për të menduar, disa tepër të rinj për të kuptuar’.

Postimi i plotë:

Albin Kurti po e luan këtë lojë me Vjosa Osmanin për një arsye të fshehtë, ai po përgatitet për të shkuar në zgjedhje të reja. Nëse Vjosa Osmanin arrin ta konsumojë, atëherë fitorja e tij mund të jetë më e madhe se sa më 6 tetor. Këtë truk të Albin Kurtit nuk është duke e kuptuar as Vjosa Osmani e as veteranët e LDK-së. Në LDK disa janë tepër pleq për të menduar, disa tepër të rinj për të kuptuar.

Lëvizja Vetëvendosje ka treguar gjenerozitet hileqar ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u pajtuar që postin e presidentit t’ia japë partisë rugoviste, që njihet si parti presidenciale. Kushti i vendosur nga Vetëvendosje është shumë hileqar, por i dukur si miqësor: kërkojnë që në atë post të zgjidhet Vjosa Osmani. Pra, Vetëvendosje po kërkon diçka që nuk është jonormale për një parti demokratike: po kërkon të caktojë kuadrot e LDK-së.

Në rastin e Vjosa Osmanit, partia e Kurtit ka një pertekst që të jetë gjeneroze, pasi ajo ia mundësoi fitoren Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit. Vetëvendosje ka shprehur dëshirë ta shpërblejë zonjën Osmani, e cila ka merita të mëdha për fitoren e Albin Kurtit. Sipas një teorie, po të mos ishte Vjosa Osmani e vendosur që ta humbte garën, Kurti nuk do ta fitonte garën. Gabimet e saj në fushatë kanë ardhë si pasojë e presioneve psikologjike që ka pasur nga veteranët e partisë së saj. Duke bërë përpjekje që të dukej shumë e fortë, ajo u tregua shumë arrogante, çka përballë një Albin Kurti të moderuar, e paraqiti si alternativë më të keqe.