RAI 3 sfidon Ramën:Nuk keni nxjerrë shifra zyrtare, ne i konfirmojmë tonat
RAI 3 ka sfiduar kryeministrin Edi Rama në lidhje me komentet e këtij të fundit mbi reportazhin e gazetarit Valerio Cataldi që flet për gjendjen e kultivimit të kanabisit në Shqipëri.
Reportazhi i pak ditëve më parë përmend ndër të tjera një raport konfidencial të siguruar nga gazetari italian sipas të cilit kultivimi i kanabisit në Shqipëri është rritur me 12 herë më shumë se një vit më parë.
Rama i hodhi poshtë këto akuza duke i cilësuar fillimisht si një “turp gazetaresk” dhe mbrëmjen e së enjtes nxori një deklaratë që sipas tij ishte bërë në një takim të zyrtarëve të ministrive të brendshme të të dyjave vendeve.
“Ja edhe e vërteta zyrtare për raportimin skandaloz të RAI3! Faleminderit autoriteteve të policisë italiane që na ndihmojnē përditë në afirmimin e fitores së përbashkët kundër kultivimit të kanabisit dhe në këtë rast na ndihmuan të fitojmë ndaj një gënjeshtre të madhe mediatike”, shkroi Rama.
Në edicionin informativ të mbrëmjes në RAI 3, përgjigjja e gazetarëve italianë ishte sfiduese për kryeministrin Rama pasi ata thonë se i kanë të konfirmuara shifrat e tyre ndërsa nga pala shqiptare deri tani nuk është paraqitur asnjë shifër zyrtare.
“Folëm për BREXIT, por ka edhe nga ata që duan të hyjnë në Europë, Shqipëria. Por unioni i kërkon të bëjë hapa përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në udhëtimin tonë atje ne kemi folur për një rritje masive të plantacioneve të marijuanës, numra që policia shqiptare i mohon, por ndryshe nga e kaluara nuk ka nxjerrë të dhëna zyrtare. Ne, në bazë të burimeve tona, i konfirmojë shifrat qe kemi nxjerrë. Sot do të shohim se si Shqipëria kërkon të afrohet me standardet evropiane në sektorë të tjerë që janë drejtësia dhe liria e shtypit” thuhet në prezantimin e kronikës.
RAI 3 këtë herë është përqendruar edhe në paketën ‘anti-shpifje’ që ka prezantuar qeveria duke thënë se ajo shërben për të vendosur median online në kontrollin e qeverisë.
Komunikimi politik në Shqipëri kalon vetëm përmes një kanali televiziv që quhet Edi Rama TV, i cili është emri i Kryeministrit. Këto ditë parlamenti po voton një ligj që e ka quajtur anti-shpifjen’ por në të vërtetë shërben për të vendosur median online në kontrollin e qeverisë,”-thuhet në kronikë.
Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Gazetarëve në Itali, Raffaele Lorusso duke folur për RAI 3 thotë se “Integrimi në Bashkimin Evropian që shpreson Shqipëria nuk mund të ketë vetëm një bazë ekonomike por duhet të përfshijë edhe respektimin e lirive themelore duke nisur nga liria e shtypit dhe për të drejtën e qytetarëve për t’u infomuar,”
Më tej aty flitet për luftën e korrupsionit në sistemin e drejtësisë që po ndërmerr Shqipëria si pjesë e kushteve të Bashkimit Europian, duke vënë theksin në procesin e vettingut. RAI 3 ka intervistuar Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
“Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni na thotë se deri tani përmes vettingut janë larguar gjysma e magjistratëve pasi janë të papërshtshëm. Është një proces që quhet vetting , që është një nga kushtet për të hyrë në Evropë që i është vendosur Shqipërisë, e cila ka një rrugë shumë të gjatë për të bërë edhe lidhur me lirinë e shtypit”, thuhet në kronikë. /opinion.al