Bota

Pak orë para Brexit, Merkel: Një “çarje e thellë, por BE do ekzistojë

Brexit është një “çarje e thellë” për Gjermaninë dhe gjithë Evropën, tha të premten Kancelarja gjermane Angela Merkel, duke shtuar se ajo priste negociata “intensive” për një marrëdhënie të ardhshme me Mbretërinë e Bashkuar.

“Gjermania dëshiron të mbetet një partner i ngushtë dhe mik i Mbretërisë së Bashkuar”, tha ajo në një mesazh video të publikuar vetëm disa orë para daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Në të njëjtën kohë, ajo theksoi se Evropa do të mbrojë interesat e saj, veçanërisht integritetin e tregut të vetëm evropian, në negociatat e vështira që do të pasojnë këtë vit për të përcaktuar marrëdhëniet e ardhshme tregtare midis bllokut të 27 vendeve të mbetura dhe Londrës.

“Sa më larg britanikët të largohen nga kushtet e tregut të vetëm, aq më shumë do të ndryshojnë marrëdhëniet tona në të ardhmen”, tha ajo.

“Bashkimi Evropian na garanton një zë të fortë në një botë gjithnjë në ndryshim dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë historinë e suksesit të Evropës me vendet e tjera anëtare”, tha zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert, në një konferencë për shtyp.

Mbretëria e Bashkuar do të bëhet vendi i parë që do të largohet nga BE, që prej themelimit të Unionit dekada më parë pas dy luftrave botërore.