Lajme

Ahmeti: Tërhiqemi nga Ekipi Negociator, ne nga PSD-ja nesër dorëzojmë dorëheqjet

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili e shpalli Ligjin për Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Delegacionit shtetëror në tërësi në shpërputhje me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës, reagoi bashkëkryesuesi i këtij delegacioni Shpend Ahmeti.

Ai në një postim në Facebook, ka thënë se Partia Socialdemokrate e pranon këtë vendim dhe do të veprojë sipas tij.

Thotë gjithashtu se qysh nesër do t’i dorëzojnë dorëheqjet nga Delegacioni në Kuvend.

“Sot Gjykata Kushtetuese ka shpallur Ligjin për Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Delegacionit shtetëror në tërësi në shpërputhje me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Partia Socialdemokrate e pranon këtë vendim dhe do të veprojë sipas tij. Rrjedhimisht, nga sot anëtarët e Delegacionit shtetëror nga radhët e PSD-së pushojnë të shërbejnë në këtë organ. Ne kemi hyrë në Delegacion me kushtin që delegacioni të ketë kompetenca. Meqenëse ato nuk janë më, atëherë qëndrimi ynë në delegacion është pa kurfarë rëndësie ligjore”, ka shkruar ai.