Shqipëri

Cakaj në konferencë për mediat: Zgjedhjet do mbahen më 30 qershor

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka reaguar pas vendimit të Presidentit Meta për të dekretuar 13 tetorin si data e zgjedhjeve vendore duke u shprehur se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, ndërsa ka akuzuar opozitën se po tenton destabilizimin e vendit dhe përsëritjen e një ’97-e të dytë.

Sipas Cakajt, opozita po sakrifikon Shqipërinë, për të shpëtuar veten, ndërsa iu ka përcjellë një mesazh paralajmërues kundërshtarëve politikë se me këto përpjekje do të thellojnë izolimin e tyre.

“SHBA dhe BE kanë shprehur qartë se zgjedhjet duhet të jenë paqësore dhe demokratike. Ndërhyrja në proces është një akt kriminal. Këtu kemi ardhur në një fazë tjetër, opozita po sakrifikon Shqipërinë, për të shpëtuar veten. Përpjekjet e tyre do të thellojnë izolimin e tyre.

E vërteta mbetet vetëm një: zgjedhjet më 30 qershor. Shqipëria e vitit 2019, pas marrjes së raportit pozitiv për negociatat, duhet të motivohej nga të gjithë për hapjen e negociatave. Shqipëria do duhet të diskutonte për integrim më 2025, por një pjesë ka zgjedhur ngjalljen e frikës për konflikt civil, për të na kthyer në 1997. E vërteta është se as Shqipëria nuk do të kthehet më 1997, as zgjedhjet vendore nuk do të shtyhen përtej 30 qershorit, dhe as zgjedhjet parlamentare nuk do të bëhen para 2021.

Pas përpjekjes masive të opozitës për t’i mohuar shqiptarëve të drejtën e lirë të votës më 30 qershor, angazhimi qytetar në zgjedhjet e 30 qershorit nuk është thjesht rinovim i pushteti vendor, por edhe vendosje e një shembulli historik në raport me praktikën e mbrapsht.

Jemi në moment delikat të procesit të integrimit. Shqipëria duhet të shmangë me çdo kusht problemet e brendshme për hapjen e negociatave në tetor. Çdo proces i besueshmërisë politike përmban edhe mundësinë e shikueshmërisë institucionale, ndaj deri në tetor sfida e përbashkët është integrimi, vazhdimi i reformave dhe sigurimi i 30 qershorit”, është shprehur ministri Cakaj.