FutbollSporti

Challandes: Kjo gjë nuk më pëlqen për ndeshjen ndaj Malit të Zi – ky është formacioni që unë e preferoj

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, ka folur për ndeshjen ndaj Malit të Zi duke theksuar se nuk i pëlqen fakti që kjo ndeshje do të zhvillohet pa shikues.


Kosova ka filluar stërvitjet, teksa pjesa më e madhe e futbollistëve kanë nisur përgatitjet në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjet e qershorit.

Në prag të ndeshjes ndaj Malit të Zi, përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur një konferencë për media. Gjatë kësaj konference, trajneri zviceran ka theksuar se nuk i pëlqen fakti se ndeshja do zhvillohet pa praninë e tifozëve.

“Nuk më pëlqen të luaj pa shikues, besoj që edhe futbollistëve nuk iu pëlqen. Do të ishte më mirë që të kemi shikues edhe nëse do të na kishin vërshëllyer gjatë gjithë kohës” – ka thënë Challandes.

Më tej, ai ka folur edhe rreth sistemit të lojës duke theksuar se atij i pëlqen formacioni 4-2-3-1, por mund të luajnë edhe me 4-4-2.

“Unë preferoj 4-2-3-1, mund të luajmë edhe 4-4-2. Jemi të gatshëm për të dyja sistemet. Por, mendoj se formacioni 4-2-3-1 na jep më shumë stabilitet në fushë. Megjithatë gjithçka varet prej kundërshtarëve. Tani më duhet të vlerësoj situatën, ekipin që kam, dhe më pas do të vendos” – ka deklaruar Bernard Challandes.

Pas ndeshjes me Malin e Zi(7 qershor), pas tre ditëve “Dardanët” do të udhëtojnë drejt Sofjes për të zhvilluar ndeshjen ndaj Bullgarisë(10 qershor). Të dyja ndeshjet janë të vlefshme për kualifikime në Kampionatin Evropian “Euro 2020”./