Lajme

Hasani: “Drafti gjerman” kundërkushtetues, e bën Asociacionin “Republikë Srpska 2.0” 

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka vlerësuar se “Drafti gjerman” i Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është kundërkushtetues. Në një intervistë për KOHËN, Hasani ka theksuar se ai bie ndesh edhe me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Më këtë draft-statut, sipas tij, Kosova shndërrohet në “Republikë Srpska 2.0”.

KOHA: Si e vlerësoni dokumentin që sot kemi publikuar në KOHË, e që sipas burimeve është propozim gjerman për Statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe? 

HASANI: Ky dokument në tërësinë e tij bie ndesh me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës: në mënyrë fiktive përmend Kushtetutën e Kosovës, ligjin, si dhe vetë vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, për të fshehur kundërkushtetutshmërinë e tij fondamentale.

KOHA: A ka dispozita problematike në të ose të tilla që mund të bien ndesh me Kushtetutën? 

HASANI: Si nuk ka! Në rend të parë, si tërësi, juridiksioni i Asociacionit parashihet të mbulojë çdo gjë përveç çështjeve të Ushtrisë së Kosovës. Në këtë kuptim, unë do të thosha se Asociacioni është “Republika Srpska 2.0”, është regjionalizim i Kosovës dhe prishje e karakterit të saj si shtet unitar. Në rend të parë, Kuvendi i Asociacionit është kuvend konstituiv nga i cili derivohet kompetenca origjinale për Asociacionin që dalin tërësisht jashtë rendit juridik të Kosovës. Në rend të dytë, Asociacioni flet për kolektivitetin serb, pra mbron të drejtat kolektive, që Gjykata Kushtetuese ka thënë se nuk bën. Në rend të tretë, Asociacioni sikur paraqitet si një institucion financiar i pavarur, që edhe këtë Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 e ka shpallur si jokushtetues. Në rend të katërt, Asociacioni nuk mund të shpërbëhet nga askush në Kosovë pos nga vetvetja, që tregon për fuqinë e tij konstituive si një trup i të drejtës publike që paraqitet si i barabartë me organet e pushtetit qendror në Prishtinë.

KOHA: Si i vlerësoni dispozitat që kanë të bëjnë me raportet që Asociacioni mund t’i ketë me Serbinë?

HASANI: Ato kompetenca do të ishin në rregull sikur të bëhej fjalë për komuna. Asociacioni, siç e thashë, ka autorizime nga e drejta publike dhe këto mund t’i kenë vetëm komunat. Ndryshe është kundërkushtetues. Nuk mund të paraqitet Asociacioni si agjenci për mbrojtjen e të drejtave kolektive serbe ndaj autoriteteve publike në Prishtinë, pra si partner në ndarjen e pushtetit me Republikën e Kosovës, kurse në të njëjtën kohë këtë ta bëjë në emër të Serbisë si shtet. Në nenin e parë duhet të definohet se çka është Asociacioni, çfarë subjekti i së drejtës është. Jo kështu siç është bërë duke cituar Marrëveshjen e vitit 2013, Kushtetutën, ligjin dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, me qëllim të ndërtimit të një strukturë krejtësisht të re. Për të krijuar Asociacion siç propozohet në këtë draft-Statut, së pari duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet sektoriale që rregullojnë vetëqeverisjen lokale, financat, organizimin territorial të Kosovës dhe tek më pastaj të formohet. Ndryshe është kundërkushtetues.

KOHA: Ju keni qenë hartues i një drafti të Statutit? Çfarë dallon ky i tashmi nga ai? 

HASANI: Sikur nata me ditë. Shumë pak kanë të përbashkëta, ta zëmë, edhe këtu stafi i Asociacionit mund të jetë jashtë shërbimit civil, përkatësisht të huazohet nga komunat me shumicë serbe dhe kështu me radhë. Por konceptualisht bëhet fjalë për dallime substanciale.  

KOHA: Në këtë proces dialogu, a guxon Kosova ta pranojë formimin e Asociacionit pa marrëveshje për njohje të ndërsjellë me Serbinë? 

HASANI: Së pari njohja, pastaj mund të diskutohet për Asociacionin duke e definuar në fillim se çfarë subjekti i së drejtës do të jetë ai brenda rendit juridik-kushtetues të vendit. Po nuk u bë njohja, çdo gjë është ridimensionim i dialogut me qëllim të akomodimit të interesit nacional serb. Pas njohjes së plotë dhe de jure të Kosovës, të pakthyeshme dhe që përfshinë të gjitha marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, formimi i Asociacionit nuk do të paraqiste asnjë problem.

KOHA: Sa ka rrezik që në një fazë të mëvonshme, pas disa vjetësh pra, kur në rend dite të jetë njohja reciproke, të kërkohen kompromise të reja, përfshirë avancimin e statusit të Asociacionit? 

HASANI: Nuk bëhet fjalë këtu për shtyrje të njohjes së Kosovës nga Serbia, por për ridimensionim të dialogut duke eliminuar njohjen e vendit nga Serbia njëherë e përgjithmonë. Nëse formohet Asociacioni sipas këtij koncepti që përmban ky draft-Statut, atëherë në dekadat që vijnë do të diskutohet për mënyrën e implementimit të Asociacionit dhe paralizim total të funksionimit të shtetit të Kosovës sepse më institucionet shtetërore nuk do të merren me komunat me shumicë serbe, por më një agjenci që mbron të drejtat kolektive të serbëve. Asnjë zgjedhje lokale më nuk do të ketë kuptim, asnjë zgjedhje dhe përfaqësim serb në Kuvendin e Kosovës nuk do të ketë kuptim.

KOHA: Si e shihni ofensivën e fundit të Perëndimit për një marrëveshje Kosovë-Serbi? 

HASANI: Asgjë të re: Perëndimi po përkëdhel Serbinë, duke besuar në mënyrë naive se Serbia largohet nga Rusia. Me këtë qasje objektivisht po sakrifikon vitalitetin dhe qenësinë e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Serbia për Kosovë edhe mund të gënjejë perëndimin se do largohet nga Rusia, por efektivisht një gjë të tillë nuk mund ta bëjë për shkak të konjukturave ndërkombëtare që janë dhe do të jenë prezente në Ballkan dhe rreth tij. Ato konjuktura janë të favorshme për Serbinë dhe çdoherë e më të favorshme janë duke u bërë.

KOHA: Cilat janë pasojat për Kosovën nëse kjo marrëveshje nuk nënkupton marrëveshjen finale që në qendër e ka njohjen nga Serbia? 

HASANI: Ne do të ngelemi si çështje për të cilën Serbia ka fjalën kryesore dhe të drejtën për vendosje për Kosovën pafundësisht. Efektivisht me këtë Serbia do të arrijë rikthimin e çështjes së statusit të Kosovës në një version të ri.