Robelli: Projekti i 6 tetorit do të fitojë edhe më bindshëm
Partitë e vjetra mund t’i ngadalësojnë, por nuk mund t’i pengojnë më ndryshimet politike në Kosovë. Shumica e njerëzve duket se kanë vendosur të shkëputen nga joliria dhe të kërkojnë lirinë e merituar. Ajo liri ka të bëjë shumë me barazi sociale. Domethënë: nuk është liri vetëm mungesa e kërbaçit të policit serb, liri është barazia sociale dhe jeta me dinjitet. Dhe këtë jetë me dinjitet nuk e garantojnë politikanët e diskredituar në çdo aspekt, të cilët para sysh kanë vetëm kënaqjen e ambicieve personale. Në projektin për çlirimin e Kosovës duhet të kyçet më shumë dhe më zëshëm gjenerata e politikanëve të rinj të LDK-së.
6 tetori i vitit 2019 ishte dita kur qytetarët e Kosovës e kuptuan se mund të çlirohen vetë nga një sistem që vjedh qytetarin, nga një sistem që nuk i shërben qytetarit, por ia grabit resurset. Ky sistem në thelb e përbuz qytetarin, sepse atë nuk e sheh si bashkëpronar të republikës dhe bashkëpjesëmarrës në vendimmarrje, por vetëm si taksapagues të heshtur.
Projekti i 6 tetorit ka hasur në vështirësi me përçarjen mes dy partive që fituan zgjedhjet. Por këto janë vështirësi të çastit dhe jo të përhershme. Njerëzit kanë vendosur të shkëputen nga joliria dhe të kërkojnë lirinë e merituar. Ajo liri ka të bëjë shumë me barazi. Domethënë: nuk është liri vetëm mungesa e kërbaçit të policit serb, liri është barazia dhe jeta me dinjitet. Drejtësi, sundim ligji, sisteme sociale për të gjithë dhe jo kujdes shëndetësor vetëm për pasanikët (e pasuruar nga plaçkitja). Këto janë pritjet dhe për këto synime njerëzit janë të gatshëm të angazhohen. Ky angazhim ka të bëjë edhe me ndryshimin e gjeneratave të votuesve. Kush është lindur më 1999, ai tani është 20 vjeçar. Ky i ri është rritur me njoftime mediale për tenderë, nepotizëm, krim, vila komandantësh. Kjo gjeneratë e re po kërkon vegla se si ta sanojë e riparojë shtetin, si të bëhet bashkëvendimmarrëse. Zemërimi që po vlon në mediat sociale tregon për një gjeneratë që e ka përshtypjen (jo të gabuar) se është vjedhur dhe i është shkatërruar ardhmëria.
Kjo gjeneratë e re, e zemëruar, shpesh e dëshpëruar dhe e frustruar është ngopur me komandantë dhe me bijë komandantësh që i tregojnë popullit vilat e tyre apo destinacionet e pushimeve në Floridë. Kjo gjeneratë është neveritur me ata që qëndrojnë mbi ligjin. Kjo gjeneratë pyet: si u bë që projektet për ndërtimin e autostradave u shndërruan në gropa miliardash në njërin prej shteteve më të varfra të Europës siç është Kosova? Si u bë që rrjeti për shpërndarjen e energjisë praktikisht t’i falet një ndërmarrjeje turke? Si u bë që edhe aeroporti t’i jepet një kompanie turke në kushte të dëmshme për Kosovën? Si u bë që PTK është para falimentimit? Si u bë që në treg të krijojnë monopol 3 apo 4 oligarkë të lidhur me partitë e vjetra? Si u bë që askush të mos merret në përgjegjësi për 20 vjet keqqeverisje? Si u bënë dhe pse u bënë drejtorë në PTK djemtë e vëllezërit e politikanëve të nivelit të lartë? Si u bë që familje të politikanëve të marrin nën kontroll sektorë të tërë të ekonomisë?
Në projektin për çlirimin e Kosovës duhet të kyçet më shumë dhe më zëshëm gjenerata e politikanëve të rinj të LDK-së. Jetën me dinjitet të qytetarëve të Kosovës nuk e garantojnë politikanët e moshuar dhe diskredituar në çdo aspekt, të cilët para sysh kanë vetëm kënaqjen e ambicieve personale, ruajtjen e privilegjeve, fshehjen e gjurmëve nga ndonjë aferë financiare e së kaluarës. LDK gjendet para një momenti historik: ose strukturat e partisë lejojnë që edhe njëherë garda e vjetër ta (keq)përdorë partinë për interesat e veta të ngushta ose strukturat vendimmarrëse gjejnë forcë për t’ia kthyer LDK-së atë vend që e ka pasur shpesh në histori: pikë orientuese dhe qendër vendimmarrëse. LDK gjatë ka menduar se është e pazëvendësueshme dhe e ka parë veten si pjesë të trashëgimisë së përhershme politike të vendit. Por si në jetë edhe në politikë asgjë nuk është e përhershme, asgjë nuk është statike. Vendi ka nevojë për debate thelbësore dhe përmbajtësore, ka nevojë për garë të ideve dhe jo për garë se kush po bërtet më shumë.
Në betejën politike VV nuk do të jetë e mëshirshme ndaj të tjerëve. Rritja mund ta bëjë këtë parti edhe më volatile në vend se ta bënte më cilësore në aspektin e kuadrove. Cilësia nuk do të rritet nëse në parlamentin e ardhshëm do të ketë edhe më shumë recitues nga VV. Për shëndetin e demokracisë do të ishte mirë që një model qeverisës apo programor të sfidohet nga modeli apo programi tjetër i besueshëm. PDK e ka kuptuar se në periudhën afatmesme nuk është e besueshme, andaj po thotë se dëshiron të qëndrojë në opozitë. AAK dhe Nisma realisht nuk janë parti, por grupe interesi për punësim kushërinjsh dhe shokësh. Të tri këto parti mund të ofrojnë programin më të mirë të mundshëm, por cilësinë e qeverisjes së tyre e kanë parë qytetarët, andaj për këto parti votojnë vetëm përfituesit direkt të sistemit të tyre.
LDK e ka një shans të vogël të jetë kredibile nëse shfaqet para votuesit me një trupë udhëheqëse krejtësisht të re dhe nëse arrin t’i bind qytetarët se kjo udhëheqje e re merr vendime edhe pas zgjedhjeve. A do të ndodhë kjo në zgjedhjet e ardhshme apo tek pas katër-pesë viteve? Më shumë duhet besuar në variantin e dytë. Por garda e vjetër do të përpiqet të gjejë “zgjidhje” për të mbijetuar në zgjedhjet e ardhshme. Për shembull në formë të një koalicioni elektoral mes LDK, AAK dhe Nismës. Por kësaj radhe gjenerata e post-çlirimit nuk do të mashtrohet lehtë. Në fakt kjo gjeneratë do të japë një votë proteste kundër të tjerëve. Dhe vota kundër të tjerëve dihet ku shkon: te VV. Andaj edhe i ka kapur sikleti shumë përfitues të deritanishëm të sistemit kleptokratik.